
Ibrahimaj: Do të nisim procesin e markimit, monitorimit dhe gjurmueshmërisë së karburanteve
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një masë të re për forcimin e kontrollit në tregun e karburanteve dhe luftën kundër kontrabandës.

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një masë të re për forcimin e kontrollit në tregun e karburanteve dhe luftën kundër kontrabandës.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë, në një prononcim për gazetarët, “se Ministria e Financave, shumë shpejt nëpërmjet një shoqërie shtetërore, do të nisë procesin e markimit, monitorimit dhe gjurmueshmërisë së karburanteve”.
Sipas saj, ky sistem i ri do të rrisë ndjeshëm mekanizmat e evidentimit të kontrabandës dhe do të forcojë kontrollin në të gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve.
“Ky hap do të forcojë kontrollin në këtë drejtim dhe do të rrisë transparencën dhe sigurinë në treg”, u shpreh ministrja, duke theksuar se nisma synon të garantojë një treg më të rregullt dhe më të monitoruar.
Ibrahimaj nënvizoi se forcimi i gjurmueshmërisë së karburanteve është një instrument i rëndësishëm për të luftuar evazionin fiskal dhe kontrabandën, duke siguruar se qeveria është në monitorim të gjithë flukseve të karburanteve në treg.
Qeveria, tha ajo, mbetet e angazhuar për rritjen e transparencës në treg dhe për garantimin e konkurrencës së ndershme, në mënyrë që çmimet të reflektojnë realisht kostot dhe jo praktika abuzive apo të paligjshme.
Burimi ATSH

















