
Rama: Pedagogët në protestë nuk bëjnë asgjë për t’u distancuar nga dhuna
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, ku foli për protestat e dhunshme në Tiranë, duke theksuar se personat që nxisin dhunën nuk përfaqësojnë studentët dhe qytetarët që kanë arsye për të protestuar e për të kërkuar ndryshime.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, ku foli për protestat e dhunshme në Tiranë, duke theksuar se personat që nxisin dhunën nuk përfaqësojnë studentët dhe qytetarët që kanë arsye për të protestuar e për të kërkuar ndryshime.
“Këta elementë nuk janë studentë. Nuk janë pjesa e shoqërisë që ka arsye për të shprehur pakënaqësi, për të protestuar, për të kërkuar ndryshim, për të kërkuar shumëçka tjetër. Ajo pjesë nuk është as nxitëse dhe as mbështetëse e dhunës”, u shpreh Rama.
Kryeministri shprehu shqetësimin për qëndrimin e disa pedagogëve, të cilët u japin jehonë dhe mbështetje veprimeve të dhunshme, pa u distancuar prej tyre.
“Fatkeqësisht, ka njerëz, gjithmonë e më pak, për hir të së vërtetës, por ka njerëz, si në rastin e disa pedagogëve të universitetit, një pjesë shumë e vogël e pedagogëve në tërësi, së bashku me të tjerë të përzier aty, që i bëjnë jehonë, i japin mbështetje dhe nuk bëjnë asgjë për t’u distancuar nga dhuna”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, kjo situatë merr jehonë edhe në ekranet televizive, ku dhuna paraqitet në mënyrë të papërshtatshme dhe institucionet sulmohen në bllok përmes përplasjeve me Policinë.
Kryeministri theksoi se ngjarjet e fundit nuk duhen krahasuar me periudhat e vështira të së kaluarës, duke përmendur vitin 1997 dhe pasojat e skemave mashtruese financiare.
“Sot është krejt tjetër. Sot jetojmë në një botë paralele njerëzish të cilët duan të na imponojnë me gurë, me zjarr, me kërcënime, me sharje, me trysni të gjithanshme atë botën e tyre në një perimetër të qendrës së Tiranës, që është kthyer si në një skenë të një filmi horror, ku shfaqen njerëz me kapuç, të maskuar dhe përballen me Policinë e Shtetit, ndërkohë që Policia e Shtetit bën punën dhe rezistencën e vet”, tha Rama.
Ai nënvizoi se, jashtë zonës ku zhvillohen përplasjet, qytetarët vijojnë të përballen me halle, probleme dhe nevoja, duke kërkuar me të drejtë përmirësimin e kushteve të jetesës.
Rama bëri thirrje për durim dhe qetësi nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe sistemin bankar, të cilin e cilësoi si garant të kursimeve dhe investimeve të shqiptarëve.
“Por të gjitha këto duhet të vlejnë si një panoramë për të pasur një durim të madh dhe një qetësi maksimale në të gjitha institucionet dhe, pa diskutim, edhe në këtë institucion këtu dhe në institucionet e rrjetit të bankave, të cilat janë gardiane dhe garante të kursimeve dhe investimeve të shqiptarëve”, përfundoi Rama.
Burimi ATSH



















