
Rama: Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në vitin 1997
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e sistemit bankar ku shprehu solidaritetin e qeverisë pas sulmeve të dhunshme gjatë protestave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e sistemit bankar ku shprehu solidaritetin e qeverisë pas sulmeve të dhunshme gjatë protestave dhe theksoi se institucionet do të vijojnë punën për adresimin e problematikave të qytetarëve.
“Jam këtu për t’ju shprehur solidaritetin lidhur me këtë moment kaq të rëndësishëm e kritik që po kalojmë. Jam këtu për t’ju thënë që kjo do të kalojë, por ne nuk do të harrojmë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria ka detyra për të adresuar shqetësimet e qytetarëve që protestojnë paqësisht, si dhe të atyre që i mbështesin, por jo dhunën.
“Ka detyra për të adresuar problematikat e atyre që janë në protestë ose ishin në protestë paqësisht, por edhe të shumë të tjerëve që i mbështesin ata që janë në protestë, por jo dhunën, jo gurin”, deklaroi Rama.
Ai u ndal te sulmi me gurë ndaj Bankës së Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një ngjarje të rëndë dhe duke e krahasuar me situatën e vitit 1997.
“Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në ’97, sepse nuk kishte banka të tjera. Bankat e tjera ishin Sudja me Xhaferin, ku nuk kishe çfarë të sulmoje më, se i avulluan lekët e shqiptarëve. Banka e Shqipërisë nuk është prekur as në ’97-ën dhe sot është gjuajtur me gur”, tha kryeministri.


















