
Miratohet projektligji, synohet harmonizimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë Shqipëri – Turqi
Enkelejd Musabelliu, zv.ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit tha se, ky projektligji synon harmonizimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë Shqipëri – Turqi me rregullat e rishikuara të Konventës Pan-Euro-Mesdhetare (PEM) për origjinën preferenciale të mallrave, që hyri në fuqi më 1 janar 2025.

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr.1/2025 të Komitetit të Përbashkët, i krijuar nga marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për ndryshimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, duke zëvendësuar protokollin II të saj, në lidhje me përcaktimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ” .
Enkelejd Musabelliu, zv.ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit tha se, ky projektligji synon harmonizimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë Shqipëri – Turqi me rregullat e rishikuara të Konventës Pan-Euro-Mesdhetare (PEM) për origjinën preferenciale të mallrave, që hyri në fuqi më 1 janar 2025.
Sipas tij, rregullat e reja sigurojnë vazhdimësinë e zinxhirit të tregtisë rajonale, ndërmjet vendit tonë dhe vendeve të tjera palë në këtë Konventë, me të cilat ne kemi në fuqi marrëveshje të tregtisë së lirë dhe kemi rregulla identike të origjinës së mallrave.
“Në kuadër të marrëveshjes PEM, Shqipëria ka ndryshuar marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE , CEFA-n dhe aktualisht ka mbetur të miratohet marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë”, tha ai.
Musabelliu bëri të ditur se, procedurat e zbatimit të vendimit do të ndiqen nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa zbatimi praktik do të realizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
“Miratimi i këtij vendimi nuk ka kosto të drejtpërdrejtë për buxhetin e shtetit dhe pritet të krijojë efekte pozitive për zhvillimin e tregtisë dypalëshe dhe zgjerimin e aktivitetit të biznesit”, u shpreh ai.
Musabelliu shpjegoi për deputetët se, sipas rregullave të origjinës, një biznes shqiptar që importon lëndë të parë nga Turqia, e përpunon në Shqipëri dhe më pas e rieksporton, nuk konsiderohet si import në vend. Kjo do të thotë se produkti i përpunuar me lëndë të parë turke trajtohet si eksport shqiptar, duke lehtësuar barrën fiskale dhe procedurat doganore për bizneset. Ai shtoi se për këtë marrëveshje janë zhvilluar konsultime edhe me përfaqësues të biznesit, veçanërisht të sektorit të tekstileve, dhe është arritur dakordësia se marrëveshja do t’u shërbejë interesave të tyre duke mbështetur aktivitetin dhe konkurrencën në treg.
Zv.ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, deklaroi se, projektligji do t’i japë mundësi bizneseve shqiptare që operojnë në tregun turk të përfitojnë nga trajtimi preferencial, duke forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve.
/Marrë nga ATSH



















