
Spiropali takon krerët e shtetit në Prishtinë: Shqipëria dhe Kosova bashkë me vizion afatgjatë
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u prit sot në Kosovë nga krerët më të lartë të shtetit, Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u prit sot në Kosovë nga krerët më të lartë të shtetit, Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.
Spiropali dhe Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca kryen fillimisht homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, aty ku sakrifica e një familjeje u kthye në themelin e shtetit të Kosovës.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, të dy ministrat folën mbi punën përgatitore për mbajtjen e takimit të përbashkët ndërqeveritar G2, Shqipëri-Kosovë, avancimin e projekteve strategjike si ndërtimi i hekurudhës Durrës–Prishtinë, projektet energjitike, korridoret e transportit dhe portet e përbashkëta që duhet të na lidhin edhe më fort.
Spiropali nënvizoi angazhimin diplomatik të Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si një interes kombëtar i drejtpërdrejtë i Shqipërisë.
“Çdo njohje e re, çdo anëtarësim i ri, çdo hap drejt konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës është investim në sigurinë, në dinjitetin dhe në stabilitetin e gjithë hapësirës sonë dhe të rajonit.
Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për zgjerimin e njohjeve dhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Barazia ndërkombëtare e Kosovës nuk është çështje simpatie. Është çështje drejtësie. Është çështje respekti për realitetin politik të krijuar me sakrificë”, tha Spiropali.
Spiropali u prit edhe nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ku rikonfirmoi mbështetjen për integrimin euroatlantik të Kosovës.
“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen aktive për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të vijojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin drejt BE-së e NATO-s”, theksoi Spiropali.
Në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, Ministrja u ndal te miratimi nga dy Kuvendet tona, i Rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së.
“Me Kryetaren Haxhiu vlerësuam miratimin nga dy Kuvendet tona, të Rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Mbrojtja e së vërtetës historike të luftës për liri të popullit të Kosovës dhe përfaqësuesve të kësaj lufte, është detyrim i përbashkët kombëtar”, tha Spiropali.
Vizita vijoi në zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, ku u diskutua agjenda për të çuar përpara projekte madhore me interes kombëtar – nga hekurudha kuq e zi dhe korridoret energjetike, te bashkëpunimi në arsim, kulturë, siguri dhe diplomaci.
“Shqipëria do të qëndrojë përkrah Kosovës me përkushtim, solidaritet dhe vizion afatgjatë, për të forcuar zërin tonë të përbashkët në rajon dhe në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Spiropali.
Ministrja e Jashtme do të takohet gjatë ditës edhe me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Burimi ATSH



















