
Begaj: “Oda Dibrane”, simbol i bashkimit të shqiptarëve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi këtë fundjavë një vizitë në Dibër.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi këtë fundjavë një vizitë në Dibër.
Kreu u Shtetit u prit nga kryetari i bashkisë, Rahim Spahiu, me të cilin diskutoi mbi projektet dhe sfidat e zhvillimit lokal, promovimin e trashëgimisë dhe potencialet turistike të zonës.
Më pas, Begaj mori pjesë në përmbylljen e edicionit të 32-të të festivalit “Oda Dibrane”.
Në fjalën përshëndetëse, Begaj e vlerësoi këtë veprimtari si simbol të bashkimit mes shqiptarëve në të gjitha trevat në diasporë dhe me kontribut në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar.
“Sonte jemi së bashku këtu, në Peshkopi. Dy qytete, dy shtete, një Dibër. Një kulturë që nuk e ndajnë dot kufijtë. Kjo ështënjë nga arritjet më domethënëse të “Odës Dibrane”.
Ajo bashkon shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë kudo në botë”, u shpreh Begaj, duke theksuar se kultura dhe tradita mbeten faktorë të fortë bashkimi përtej kufijve shtetërorë.
Teksa u ndal te simbolika e odës në traditën shqiptare, Presidenti Begaj theksoi se ajo mbetet hapësira ku ruhet dhe përcillet ndër breza mençuria popullore, zakonet, këngët dhe vlerat e besës e të mikpritjes. “Odën Dibrane” e cilësoi si “një odë e madhe shqiptare”.

Kreu i Shtetit vuri theksin edhe mbi rëndësinë e domodoshmërisë së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.
“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm kujtim i së shkuarës dhe folklori nuk mund të jetë një muze që hapet disa herë në vit, vetëm për festa.
Një traditë jeton vetëm kur këndohet, kërcehet, rrëfehet, mësohet dhe përcillet. Një këngë që nuk këndohet më, humbet. Një valle që nuk mësohet më, humbet. Një fjalë, një rit, një instrument apo një mjeshtëri që nuk i kalon brezit tjetër, rrezikon të mbetet vetëm në arkivë”, u shpreh Presidenti i Republikës, duke nënvizuar se ruajtja e identitetit kërkon pjesëmarrje aktive.
Në këtë kontekst, Presidenti Begaj vlerësoi edhe kontributin e diasporës, duke theksuar se kënga, vallja, gjuha dhe zakonet janë ura që lidhin shqiptarët me vendlindjen.
Ai shprehu, gjithashtu, mirënjohje për organizatorët, artistët, studiuesit, institucionet dhe publikun që kanë mbështetur festivalin përgjatë 32 viteve.
“Uroj që ‘Oda Dibrane’ të vazhdojë gjatë, të jetë oda e Dibrës dhe një odë e madhe e kulturës shqiptare, një vend ku dera mbetet e hapur dhe tradita pjesë e së ardhmes”, deklaroi Begaj, në mbyllje të fjalës përshëndetëse.


















