
Ndryshimet ligjore, forcim i sistemit kombëtar të mbrojtjes civile
Forcimi i sistemit kombëtar të mbrojtjes civile dhe rritja e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive janë në fokus të projektligjit të ri për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen civile”.

Forcimi i sistemit kombëtar të mbrojtjes civile dhe rritja e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive janë në fokus të projektligjit të ri për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen civile”.
Projektligji i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Mbrojtjes synon përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes civile në Shqipëri, me qëllim zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së qytetarëve, gjësë së gjallë, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit.
Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet ligjore konsiderohen të nevojshme për rritjen e efikasitetit dhe konsolidimin e performancës së sistemit kombëtar të mbrojtjes civile, si dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale në menaxhimin e situatave të fatkeqësive.
Një tjetër objektiv i projektligjit është përmirësimi i performancës së strukturave përgjegjëse në kuadër të përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (UCPM).
Pr/ligji synon adresimin e problematikave të evidentuara gjatë zbatimit të deritanishëm të ligjit, përfshirë koordinimin institucional, menaxhimin e fatkeqësive dhe përballimin e emergjencave civile.
Ndryshimet parashikojnë rregullimin e detyrave të organeve kolegjiale të sistemit kombëtar të mbrojtjes civile, si dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet strukturave të parashikuara në ligj.
Një tjetër aspekt lidhet me përfshirjen e strukturave operacionale në përballimin e emergjencave brenda dhe jashtë vendit, si dhe përcaktimin e procedurave për angazhimin e tyre në misionet e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (UCPM).
Ndryshimet synojnë edhe rregullimin e statusit të shërbimit të vullnetarëve të mbrojtjes civile, si dhe saktësimin e detyrimeve për trajnimin dhe formimin profesional të të gjitha subjekteve të ligjit.
Projektakti trajton gjithashtu përfshirjen e shtetit në ndihmën ndaj subjekteve të dëmtuara nga fatkeqësitë, si dhe rolin dhe funksionet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) në sistemin kombëtar të mbrojtjes civile.
Ndër përparësitë e tij përfshihet Sistemi Kombëtar i Menaxhimit të Emergjencave Civile, riformulimi i përbërjes dhe detyrave të Komitetit të Mbrojtjes Civile, si dhe saktësimi i rolit të AKMC-së në mbështetje të KMC-së dhe KNEC-së.
Projektakti synon përmirësimin e kuadrit rregullator për marrëdhëniet dhe detyrimet e institucioneve dhe strukturave qendrore e vendore të sistemit kombëtar të mbrojtjes civile.
Ndër ndryshimet e propozuara përfshihet edhe ridimensionimi i përfshirjes shtetërore në përballimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga fatkeqësitë, rregullimi i shërbimit të vullnetarëve dhe saktësimi i detyrave për trajnimin dhe formimin profesional në fushën e mbrojtjes civile.
Ndryshimet e propozuara synojnë kështu konsolidimin e sistemit të mbrojtjes civile dhe rritjen e aftësisë së strukturave përgjegjëse për të menaxhuar fatkeqësitë dhe për të zvogëluar pasojat e tyre.
Burimi ATSH


















