
Mazniku: Bashkimi i bashkive përmirëson shërbimet për qytetarët
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku deklaroi sot në Kuvend se bashkimi i bashkive do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku deklaroi sot në Kuvend se bashkimi i bashkive do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.
Duke folur për propozimin për hartën e re territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 45, Mazniku u shpreh se synimi i reformës është përmirësimi i shërbimeve për qytetarët.
Mazniku tha se reforma e vitit 2014 ishte një sukses, pasi solli forcimin e bashkive, rritjen e të ardhurave, uljen e borxheve dhe rritjen e fuqisë investuese të njësive vendore.
“Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë. U thatë njerëzve që bashkitë tuaja do të zhduken, do të shkrihen. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t’u shkojë rruga, uji. Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t’u pastrohet dhe t’u ndriçohet”, tha Mazniku.
Ai theksoi se qytetarët kanë nevoja konkrete për shërbime në zonat ku jetojnë, duke përfshirë kanalizimet dhe rrugët në zonat rurale, si dhe çerdhet, kopshtet dhe transportin publik në qytete.
Duke iu referuar reformës së vitit 2014, Mazniku tha se gjatë dëgjesave dhe konsultimeve nuk kishte pasur kërkesa për rikthimin e ndarjes së mëparshme administrative.
“A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Në të gjitha dëgjesat, nga të gjitha diskutimet, po, reforma e vitit 2014 ishte sukses. Asnjë person i PD-së, asnjë person nuk tha: duam mbrapsht komunat”, u shpreh ai.
Sipas Maznikut, reforma e mëparshme dëshmoi se bashkitë u forcuan financiarisht dhe administrativisht, por rezultatet e arritura nuk janë të mjaftueshme për objektivat që mazhoranca i vendos vetes për ofrimin e shërbimeve publike.
“Kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara”, deklaroi Mazniku.
Burimi ATSH



















