
Dy apartamente të konfiskuara kthehen në Qendër Emergjence për viktimat e dhunës në Tiranë
Qendra, e realizuar nga Qendra Shqiptare për Impakt Social (SICA), me mbështetjen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe The Nando & Elsa Peretti Foundation, ofron strehim emergjent dhe shërbime mbështetëse për viktimat e dhunës.

Dy apartamente të konfiskuara nga shteti janë vënë në funksion të viktimave të dhunës, duke u shndërruar në një Qendër Emergjence në Tiranë për gratë, vajzat dhe fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje të menjëhershme.
Qendra, e realizuar nga Qendra Shqiptare për Impakt Social (SICA), me mbështetjen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe The Nando & Elsa Peretti Foundation, ofron strehim emergjent dhe shërbime mbështetëse për viktimat e dhunës.
Dy apartamentet janë vënë në huapërdorje nga AAPSK për këtë qëllim, duke i dhënë pasurive të konfiskuara një funksion social dhe në shërbim të komunitetit.
Qendra parashikon të ketë rreth 140 përfitues të drejtpërdrejtë dhe do të ofrojë strehim të sigurt deri në 72 orë, si dhe mbështetje psikosociale, ndihmë ligjore e mjekësore, ndërhyrje në situata krize dhe referim drejt shërbimeve afatgjata të mbrojtjes dhe riintegrimit.
Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, tha se përdorimi social i pasurive të konfiskuara është një mënyrë konkrete për t’i rikthyer këto asete në shërbim të qytetarëve.
“Një pasuri e konfiskuar merr një vlerë të re kur vihet në shërbim të njerëzve që kanë më shumë nevojë për mbështetje”, u shpreh Xhaja, duke theksuar se përmes kësaj qasjeje asetet e konfiskuara mund të krijojnë ndikim social dhe të shërbejnë për interesin publik.
Sipas organizatorëve, ngritja e qendrës plotëson një nevojë të identifikuar në sistemin e mbrojtjes, duke ofruar në Tiranë një shërbim të dedikuar për strehimin emergjent deri në 72 orë të viktimave të dhunës dhe fëmijëve të tyre.
Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave partnere dhe trupit diplomatik, ndër ta ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zv.ministrja e Brendshme, Silva Caka, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, si dhe përfaqësues të ambasadave të Francës dhe Holandës dhe të The Nando & Elsa Peretti Foundation.
Nisma synon të shërbejë si një shembull i përdorimit social të pasurive të konfiskuara, duke i kthyer ato nga asete nën administrimin shtetëror në hapësira që ofrojnë drejtpërdrejt mbrojtje dhe mbështetje për kategoritë në nevojë.
Burimi ATSH


















