“Evropa fillon këtu”, Hoxha dhe Pirdeni vijojnë dialogun me studentët për procesin e integrimit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, zhvilluan sot një bashkëbisedim me studentët të universitetit “Fan S. Noli”, në Korçë në kuadër të turit të dialogut “BE dhe Ti: Evropa fillon këtu”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se në fokus të bisedimeve ishte “rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.
“Diskutuam një gamë të gjerë temash: çfarë do të thotë të ndihesh evropian; reformat dhe negociatat që na presin përpara; ekuilibri midis angazhimeve dhe rezultateve; si dhe përgjegjësia jonë e përbashkët për të siguruar të ardhmen tonë brenda Bashkimit Evropian”, theksoi Hoxha.
Në përfundim, Hoxha theksoi se “të rinjtë dhe studentët tanë janë shumë më shumë se sa thjesht spektatorë. Ata janë kureshtarë, të përfshirë dhe të etur për të mësuar më shumë. Pa asnjë dyshim, ata përbëjnë një forcë shtytëse për ndryshim”.
Hoxha theksoi se ky dialog i drejtpërdrejtë do të vazhdojë në çdo qytet të Shqipërisë, për të garantuar që energjia rinore dhe mendimi kritik të lulëzojnë, sepse anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të formësohet nga kjo gjeneratë.
Burimi ATSH