
Kuvendi ndriçohet blu në Ditën Botërore të Autizmit
Në Ditën Botërore të Autizmit, e cila shënohet çdo vit më 2 prill, godina e Kuvendit u ndriçua mbrëmjen e sotme me ngjyrë blu, simboli ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për çrregullimet e spektrit autik.

Në Ditën Botërore të Autizmit, e cila shënohet çdo vit më 2 prill, godina e Kuvendit u ndriçua mbrëmjen e sotme me ngjyrë blu, simboli ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për çrregullimet e spektrit autik.
Në të njëjtën linjë solidariteti, çdo vit institucione shtetërore në vend i bashkohen kësaj nisme globale, duke reflektuar angazhimin institucional për rritjen e vëmendjes ndaj kësaj kauze sociale.
Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi sfidat me të cilat përballen individët me autizëm, si dhe të promovojë përfshirjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Kjo ditë u shpall zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes rezolutës 62/139 në vitin 2007, me synimin për të luftuar diskriminimin dhe për të nxitur respektimin e të drejtave të personave me autizëm në mbarë botën. Ajo është gjithashtu pjesë e agjendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila promovon parimin se askush nuk duhet të mbetet pas.
Ndriçimi i institucioneve publike me ngjyrën blu është kthyer tashmë në një simbol global solidariteti dhe ndërgjegjësimi, duke bashkuar vende dhe komunitete në mbështetje të personave me autizëm dhe familjeve të tyre.
Në Ditën Botërore të Autizmit qeveria shqiptare vendosi që të dyfishojë pagesën mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe njohjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për rreth 14 mijë kujdestarët dhe ndihmësit e tyre.
Burimi ATSH



















