
Kumbaro: Liceu Francez në Korçë drejt hapjes me dy diploma, shqiptare dhe franceze
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro gjatë vizitës në Paris, Francë, u prit në një takim nga Jean-Paul Seytre, zv.Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Globale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro gjatë vizitës në Paris, Francë, u prit në një takim nga Jean-Paul Seytre, zv.Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Globale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në qendër të takimit ishte projekti i Liceut Francez të Korçës, i cili do të jetë njëkohësisht me dy diploma, maturën shqiptare dhe maturën franceze, të homologuara nga Ministria e Arsimit të Francës.
Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro tha se “në fokus të bisedës ishin hapat e mëtejshëm për këtë shkollë të re, një vazhdimësi e traditës arsimore mes dy vendeve, model i ekselencës në teknologji e inovacion për rajonin me diploma të të dy vendeve”.
“Ky institucion arsimor që do t’i shtohet Korçës dhe Shqipërisë, si një projekt i nisur pas dakordësisë mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Francës do të funksionojë përmes një ligji të posaçëm, i cili aktualisht është në fazën e konsultimit publik”, tha Kumbaro.
Kumbaro u shpreh se “Liceu Francez do të mirëpresë jo vetëm nxënës shqiptarë, por të rinj nga i gjithë rajoni”.
Ministrja Kumbaro vuri në dukje se “partneriteti me Francën mbetet i çmuar në avancimin e reformave në sistemin tonë arsimor, me synimin për të forcuar më tej cilësinë, përfshirjen dhe ndërkombëtarizimin”.
Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së ministres Kumbaro në Paris, për “Global Education Monitoring Report 2026” për aksesin dhe barazinë në arsim, organizim i UNESCO. Kumbaro do të takohet me homologë të arsimit, shkencës dhe edukimit.



















