
Komisioni për “Territorialen”/ PS-PD agjendë të përbashkët konsultimesh, dëgjesa e parë në 3 prill
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot mbledhje për miratimin e kalendarit të detajuar të takimeve për fazën e parë të konsultimeve në territor.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot mbledhje për miratimin e kalendarit të detajuar të takimeve për fazën e parë të konsultimeve në territor.
Bashkëkryetari i Komisionit nga Partia Socialiste, Arbjan Mazniku, u shpreh se është dakordësuar një agjendë e përbashkët me bashkëkryetarin nga Partia Demokratike, Luçiano Boçi.
“Ky dokument ka dy kolona kryesore: dëgjesa këtu në komision me kryetarët e bashkive sipas qarqeve dhe konsultimet tematike në Kuvend. Kemi menduar që të bëjmë në një ditë kryetarët e bashkive të dy qarqeve. Kemi dakordësuar disa ditë të veçanta për dëgjesa që të mos përplasen me seancat apo aktivitetet e tjera të Kuvendit. Kryesisht janë të mërkurave”, tha Mazniku.
Ai shtoi se dëgjesat në terren do të kryhen përgjatë 4-5 javëve dhe do të organizohen dy aktivitete në javë, me mbështetjen e projekteve bashkiake për organizimin.
Opozita dhe mazhoranca kanë dakordësuar kalendarin e takimeve për reformën territoriale, pas debateve në mbledhjen e fundit dhe kërkesës së opozitës që dëgjesat të mos zhvilloheshin vetëm në territor, por kryetarët e bashkive të ftohen edhe në Kuvend për t’u dëgjuar nga komisioni i posaçëm.
Bashjëkryetari i kësaj reforme Arbjan Mazniku tha se dy palët kanë dakordësuar kalendarin e takimeve dhe frekuencën e takimeve.
“Kemi vendosur të zhvillojmë dy aktivitete në javë për aktivitetet më të mëdha publike dhe duke pasur dhe suportin e Bashki të Forta sa i takon organizimit të takimeve dhe logjistikës. Gjithashtu, kemi një strukturë të ngjashme për dëgjesat tematike, të cilat do të nisin më 1 maj në Kuvend”, shpjegoi Mazniku, ndërsa takimi i parë për reformën do të zhvillohet me ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo në 3 prill, duke hapur kështu fazën e parë të dëgjesave”, u shpreh Mazniku.
Gjithashtu Komisioni i Posaçëm për Reformën miratoi dhe listën e ekspertëve të komisionit.
Bashkëkryetari nga PD, Luçiano Boçi vlerësoi rëndësinë e ekspertëve në këtë proces.
“Roli i ekspertëve është shumë i rëndësishëm dhe ky proces duhet të jetë i hapur për të nxjerrë në pah situatën reale. Dimensioni i transparencës ka lidhje direkte me besueshmërinë e publikut për reformën territoriale. Të mos jetë vetëm produkt politik, por edhe rezultat i dijes dhe transparencës.”
Ai theksoi gjithashtu se vendimi i komisionit synohet të jetë konsensual.
Sa i përket ekspertëve ndërkombëtarë, Boçi tha se ambasadori Gonzato ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje, duke përfshirë ekspertë dhe pjesëmarrje në vizita dhe agjendën e komisionit.
“Po ashtu, ambasada zvicerane ka pranuar të ofrojë suportin e saj për kërkesat që komisioni do të ketë”, përfundoi ai.
/Burimi



















