
TAP dhe AGS CO rinovojnë marrëveshjen për mirëmbajtjen e rrjetit të gazit në vend
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri të ditur sot se shërbimi do të vijojë të realizohet nga kompania AGS CO, një konsorcium i krijuar ndërmjet shoqërisë shtetërore Albgaz dhe kompanisë italiane Snam.

Një tjetër hap i rëndësishëm është shënuar në sektorin energjetik në Shqipëri, përmes rinovimit të marrëveshjes nga AGS CO me Trans Adriatic Pipeline (TAP) për vijimin e ofrimit të shërbimit të mirëmbajtjes së rrjetit të gazit në vend.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri të ditur sot se shërbimi do të vijojë të realizohet nga kompania AGS CO, një konsorcium i krijuar ndërmjet shoqërisë shtetërore Albgaz dhe kompanisë italiane Snam, duke dëshmuar rritjen e kapaciteteve vendase në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës strategjike energjetike.
Të pranishëm në nënshkrimin e rinovimit të marrëveshjes ishin Arbër Lleshi, drejtor ekzekutiv AGS Co, Tommaso Andriolo, drejtor operacional, AGS Co, Ricardo Ruiz Nuñez, drejtor operacional, TAP si dhe Luca Schieppati, drejtor manaxhues TAP.
Ndërkaq, ministri Karakaçi vuri në dukje se kjo marrëveshje konsiderohet një tregues i qartë i forcimit të rolit të Shqipërisë në hartën energjetike rajonale, si dhe i besimit të partnerëve ndërkombëtarë ndaj ekspertizës dhe standardeve të arritura në vend.
Zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të gazit natyror po merr një vëmendje gjithnjë e më të madhe, në funksion të diversifikimit të burimeve energjetike dhe rritjes së sigurisë energjetike, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nyje të rëndësishme në korridoret evropiane të energjisë.
Trans Adriatic Pipeline (TAP) po bashkëpunon me Qeverinë shqiptare dhe “Albgaz” sh.a. për zhvillimin e një pike hyrëse/dalëse në vendndodhjen e Fierit. Në këtë drejtim, më 6 korrik 2021, TAP AG, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe “Albgaz” sh.a. nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi dhe Dorëzimi për Impiantin e Fierit Jugor. Sipas marrëveshjes, sapo të përfundojë ndërtimi i objektit të Fierit të Jugut, ai do t’i kalojë shtetit shqiptar.
Në përputhje me “Memorandumin e Mirëkuptimit” të nënshkruar midis TAP dhe Qeverisë shqiptare për të mbështetur zhvillimin e tregut shqiptar të gazit, TAP ka lidhur një marrëveshje me AGSCo për të ofruar shërbime të mirëmbajtjes me cilësi të lartë për sistemin dhe stacionet e gazsjellësit TAP në Shqipëri.
AGSCo është një shoqëri e inkorporuar, ku “Albgaz” sh.a. (Albgaz) dhe “Snam” S.p.A. (Snam) janë aksionarë (JV), me përkatësisht 75% dhe 25% të aksioneve. Kontrata u nënshkrua më 28 dhjetor 2018 ndërmjet Trans Adriatic Pipeline AG dhe Albanian Gas Service Company sh.a. Kontrata ka përfunduar më 1 tetor 2025, që përkon me përvjetorin e pestë të fillimit të operacioneve tregtare.
Duke qenë se kontrata e AGSCo me TAP ka përfunduar, palët rinovuan kontratën sërish.



















