Presidenti Begaj uron besimtarët bektashinj: Më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh
Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit, një ditë e konsideruar nga ta si më e bekuara e vitit, pasi shënon nisjen e Pranverës dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut.

Presidenti uroi që kjo ditë të sjellë begati e mirësi në çdo vatër të çdo besimtari dhe të çdo shqiptari.
“Kjo ditë e shenjtë, simbol i pranverës dhe ringjalljes, na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Le të na shërbejë si thirrje për më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh, duke forcuar bashkëjetesën dhe tolerancën që na karakterizon si shoqëri”, u shpreh Begaj në mesazhin e tij të urimit.
Kjo festë njihet edhe ndërkombëtarisht prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit.
Sulltan Nevruzi është një festë e lashtë e jetës, rilindjes dhe triumfit të dritës mbi errësirën.
Me rrënjë që shtrihen mbi 3000 vjet në epokën e Zoroastrianizmit, Nevruzi paralajmëron ardhjen e pranverës dhe festohet në ekuinoksin e pranverës.
Burimi ATSH