
Rama: Kompania publike “Alb Trace”, gjurmim të gjitha produkteve të akcizës me teknologji të fundit
Kryeministri Edi Rama tha sot se prej disa kohësh kemi krijuar një kompani të re publike në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, e quajtur “Alb Trace”, e cila është kompania publike që do të bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji”.

Kryeministri Edi Rama tha sot se prej disa kohësh kemi krijuar një kompani të re publike në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, e quajtur “Alb Trace”, e cila është kompania publike që do të bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji”.
Në takimin me furnizuesit e naftës, Rama theksoi se “gjurmimi i gjithë sasive të naftës që do të hyjnë në tregun shqiptar do të garantohet me një teknologji të fjalës së fundit që praktikisht do ta çojnë në një nivel tjetër”.
“Ky produkt i ri është absolutisht i pakapshëm nga asnjë sy tjetër, përveçse nga syri magjik i prodhuesit”, tha Rama.
Ndërsa ndjekja, vijoi Kryeministri, do të thotë që do të mbyllim epokën e shoqërimit të naftës që hyn në Shqipëri me objektivin për të qenë tranzit dhe do ta ndjekim nga shumë larg pa shqetësuar as shoferët tuaj që kur nisen për të kaluar kufirin në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi apo kudo qoftë ku kalojnë kufirin, kanë nga mbrapa doganier që bashkëndotin ambientin, duke shfrytëzuar dhe karburant të blerë nga buxheti i shtetit.
Rama vuri në dukje se “ndjekja do të bëhet me teknologji që përsëri nuk e sheh fare dot asnjë sy, sado i interesuar që të jetë dhe nga hyrja në port, deri tek dalja në kufi të gjitha mjetet do të jenë në ekran në një vend që do të hyjnë vetëm njerëz që do të kenë certifikatë sigurie”.
“Besoj që, këto të dyja do t’ju lehtësojnë dhe juve shumë punën sepse do të shpëtoni nga konkurrentët e pandershëm që sigurisht nuk janë mes jush, por janë fantazma dhe do na lehtësojnë të gjithëve për sa iu përket nivelit të evazionit fiskal që në këtë sektor gojët e liga thonë që është shumë i madh. Unë mendoj që edhe i vogël po të jetë është shumë i rëndësishëm për pensionistët. Kështu që, edhe për këtë ne kemi marrë atë vendimin tonë, që për t’i qëndruar shumë korrekt dhe shumë strikt zotimit që kemi marrë ndaj pensionistëve çfarë do të nxjerrim nga lufta kundër evazionit në këtë fushë do ta çojmë dhe atë në radhë të parë në drejtim të pensionisteve, pastaj nëse është aq shumë sa thonë gojët e liga do ketë dhe për ata që s’kanë dalë në pension akoma”, theksoi Rama.
/Burimi ATSH



















