
Gogu viziton Institutin e të Miturve në Kavajë: Drejtësia për të rinjtë duhet të jetë mundësi për një fillim të ri
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Klevis Qose, zhvilluan një vizitë në Institutin e të Miturve Kavajë, ku u organizua një aktivitet festiv nga vetë të miturit e institucionit.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Klevis Qose, zhvilluan një vizitë në Institutin e të Miturve Kavajë, ku u organizua një aktivitet festiv nga vetë të miturit e institucionit.
Fëmijët, së bashku me drejtoreshën e institutit Marinela Aliaj dhe mësuesit, kishin përgatitur një festë të veçantë me ushqime të gatuara nga vetë ata, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Gjatë vizitës, ministri dhe drejtori i përgjithshëm vunë theksin tek rëndësia e rehabilitimit dhe arsimimit të të miturve, duke theksuar se qëllimi kryesor është që ata të kenë një mundësi reale për një fillim të ri dhe një të ardhme më të mirë jashtë mureve të institucionit.
Gjatë aktivitetit, ministri theksoi se një shoqëri e fortë nuk është ajo që vetëm ndëshkon gabimet, por ajo që krijon mundësi që një i ri të ngrihet përsëri dhe të ndërtojë një rrugë të re në jetë.
Sipas tij, drejtësia për të miturit duhet të jetë më shumë sesa një vendim gjykate, duke u mbështetur tek arsimi, reflektimi dhe mundësia për një fillim të ri.
Në kuadër të kësaj vizite, ministri dhuroi për bibliotekën e institutit librin “Të Mjerët” të shkrimtarit francez Viktor Hygo, duke theksuar se historia e personazhit Zhan Valzhan është një simbol i shansit të dytë dhe i mundësisë për të ndryshuar drejtimin e jetës.
“Jeta e një njeriu nuk fundoset me gabimin që ka bërë, ajo mund dhe duhet të marrë një drejtim të ri. Një shans i dytë mund të ndryshojë gjithçka”, u shpreh Gogu.
Ai theksoi se institucioni i të miturve nuk duhet parë thjesht si një vend ku vuhet dënimi, por si një hapësirë ku të rinjtë mund të rifillojnë jetën, përmes edukimit dhe programeve që i ndihmojnë të mësojnë një profesion.
“Ky vend nuk është vend ku vuhet dënimi dhe nuk do të jetë kurrë i tillë. Ky është vendi ku jetët fillojnë nga e para, ku shanset jepen përsëri dhe përsëri. Prandaj janë shumë të rëndësishme programe të tilla, ku mësohet një profesion i ri dhe ku secili përgatitet për të vazhduar jetën”, tha ai.
Ministri përmendi gjithashtu rastin e një qytetari që, pasi iu mohua e drejta për të ushtruar profesionin për shkak të një gabimi në të kaluarën, e çoi çështjen deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe arriti ta fitojë.
Gogu u uroi të rinjve Ditën e Verës dhe siguroi se institucionet do të vazhdojnë të punojnë për t’u dhënë atyre mbështetjen dhe mundësinë për një fillim të ri në jetë.
Në fund të aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, mbolli një ulli në ambientet e institucionit si simbol i paqes, shpresës dhe një fillimi të ri për të miturit.

















