
Hoxha bisedë me Sa’ar pas sulmeve ndaj Izraelit: Shqipëria në solidaritet me popullin tuaj
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, ku theksoi solidaritetin e plotë të Shqipërisë me popullin izraelit pas sulmeve të ndërmarra nga Irani dhe Hezbollahu.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës me homologun izraelit u rikonfirmua miqësia e fortë mes dy vendeve dhe bashkëpunimi i ngushtë në përballimin e sfidave të përbashkëta.
“Në këto kohë të vështira dhe sfiduese, Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me popullin izraelit dhe të gjithë ata që janë prekur nga sulmet e kryera nga Irani dhe Hezbollahu”, theksoi Hoxha.
Ai nënvizoi se shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm dhe se Shqipëria vlerëson kurajën dhe qëndresën e popullit izraelit përballë këtyre zhvillimeve.
Ministri Hoxha rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për përpjekjet ndërkombëtare që synojnë të parandalojnë përvetësimin nga regjimi iranian të armëve bërthamore apo të çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë që mund të kërcënojë paqen dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.
Hoxha shtoi se, Irani meriton një qeveri nga populli dhe për popullin.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se, Shqipëria së shpejti do të marrë një vendim zyrtar për ta shpallur IRGC, ashtu siç është në të vërtetë: një organizatë terroriste.
Hoxha vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet e qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Izraelit, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe mbi një histori të veçantë solidariteti mes dy popujve.
Hoxha theksoi se, ky vit shënon 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, një moment që pasqyron forcën dhe qëndrueshmërinë e kësaj miqësie dhe hap rrugë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.
Burimi ATSH



















