
Gonxhja: Dialog me federatat olimpike për zhvillimin dhe financimin e sportit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se gjatë këtij takimi u zhvillua një dialog i drejtpërdrejtë mbi sfidat aktuale dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e sportit në vend.

Zhvillimi i sportit dhe forcimi i mbështetjes për federatat sportive ishin në fokus të një takimi konsultativ të zhvilluar me përfaqësues të disa federatave olimpike shqiptare.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se gjatë këtij takimi u zhvillua një dialog i drejtpërdrejtë mbi sfidat aktuale dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e sportit në vend.
Sipas tij, bashkëbisedimi shërbeu si një platformë për të dëgjuar shqetësimet, nevojat dhe propozimet e përfaqësuesve të sportit elitar, ndërsa theksoi se konsultimet do të vijojnë edhe me federata të tjera sportive.
Gonxhja theksoi se synimi është forcimi i partneriteteve mes sektorit publik dhe atij privat, duke krijuar më shumë hapësira për investime dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sportit në vend.
“Në qendër të diskutimeve u vendos nevoja për rritjen e kapaciteteve financiare të sportit, përmirësimin e mekanizmave ekzistues të financimit si dhe shfrytëzimin më efikas të instrumenteve që ofron legjislacioni për sponsorizimet sportive. Synimi ynë është të mundësojmë partneritete më të forta mes sektorit publik dhe atij privat, duke krijuar hapësira më të mëdha për investime dhe rritje të qëndrueshme”, deklaroi ministri.
Ministri nënvizon se përmes një dialogu të vazhdueshëm me komunitetin sportiv synohet ndërtimi i një ekosistemi modern dhe transparent, që mbështet zhvillimin afatgjatë të sportistëve shqiptarë dhe rritjen e përfaqësimit të vendit në arenën olimpike dhe ndërkombëtare.
“Përmes një qasjeje të integruar të politikave publike dhe një dialogu të vazhdueshëm me komunitetin sportiv, mbetemi të vendosur të ndërtojmë një ekosistem modern, dinamik dhe transparent, i cili nxit rritje të qendrueshme, garanton zhvillim afatgjatë, mbështetje të drejtë, në mënyrë që Shqipëria të ngrejë sa më lart nivelin e saj në arenën olimpike dhe ndërkombëtare”, deklaroi Gonxhja.



















