
Rama: Prezumimi i pafajësisë, parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se prezumimi i pafajësisë është parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor dhe një vijë e prerë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, mes drejtësisë dhe arbitraritetit.

Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se prezumimi i pafajësisë është parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor dhe një vijë e prerë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, mes drejtësisë dhe arbitraritetit.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se fakti dhe e vërteta duhet të përcaktohen vetëm nga procesi gjyqësor.
“Faktet janë fakte dhe asgjë nuk i ndryshon dot. Ndërkohë që për mua, për ne, këto nuk janë faktet e pafajësisë apo të amnistisë. Për çfarëdo faji mund të ketë bërë Belinda, të cilin sidoqoftë nuk e përcakton dot asnjë prokuror, as dy uturakë mediatikë ‘Qimbellinjsh’, që mbledhin edhe jashtëqitjet e urrejtjes ndaj nesh, duke pastruar para dhe duke bërë evazion fiskal nën sytë e mbyllur të prokurorisë që i ka dosjet për të dyja këto akuza të depozituara institucionalisht nga tatimet e Republikës së Shqipërisë. Por tatimet e Republikës së Shqipërisë janë të republikës, prandaj nuk janë aq të rëndësishëm sa janë ‘Qimbellinjtë’, që janë të hurit dhe të litarit. Dhe nuk e përcaktojnë as të gjitha tenxheret bashkë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se fajësinë ose pafajësinë, e përcakton vetëm procesi gjyqësor.
Kryeministri nënvizoi se arritjet në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë janë rezultat i punës së një ekipi të gjerë institucional.
“Pasqyra e fakteve të një pune kolosale nuk i takon kurrsesi një individi thjesht me një rol të pamohueshëm në të gjithë zinxhirin e arritjeve në dy sektorë kaq të rëndësishëm, por të gjithë atyre që kanë pasur një rol për të luajtur, nga skuadra e qeverisë te ajo e Ministrisë së Infrastrukturës, duke filluar nga Sindi, që na doli dhe njeri për t’iu kontrolluar shtëpia në 6 të mëngjesit, deri tek i fundit, bashkë me drejtuesit, ekipet e institucioneve dhe ndërmarrjet e varësisë, pa harruar pa dyshim deputetët e komisioneve të lidhura me ata sektorë, si dhe mbështetjen vendimtare që grupi socialist i ka dhënë të gjitha reformave të bëra”, tha Rama.
Sipas tij, të gjithë ata që kanë kontribuar në këto procese, përfshirë Belinda Ballukun meritojnë respekt për punën e bërë.
“Për këto fakte, për këto arritje, për të gjitha përpjekjet dhe mundin që është dashur deri këtu, të gjithë ata që kanë bërë detyrën e tyre, përfshirë patjetër edhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, si përgjegjëse për të dy sektorët, meritojnë vetëm respekt”.
Rama iu drejtua gjithashtu opinionit publik duke theksuar se askush nuk duhet të dënohet paraprakisht pa një proces gjyqësor.
“Ndërsa të gjithë atyre njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, me kushtin që të mos jenë pjesë e turmës së qorrave dhe shurdhëve me molotov në gojë dhe në duar, por që mund të jenë mbështetës tanët, siç mund të mos jenë mbështetës tanët dhe që sidoqofshin e kanë gjykuar tanimë pa gjyq, e kanë dënuar pa i dhënë as të drejtën të mbrohet në gjykatë për çka akuzohet dhe duan ta shohin në burg Belinda Ballukun, pa pritur as të hapet dera e sallës së gjyqit për të nisur procesin, u them që t’i bëjnë vetes një pyetje.
Ku ndryshojmë ne, që të gjithë ne sot, apo të paktën ku duhet të ndryshojmë ne shqiptarët e sotëm, pavarësisht bindjeve dhe simpative tona politike apo njerëzore, nga ata që dje e deshën medoemos të pushkatuar gjyshin e saj, apo nga ata që regjimi komunist i gjyshit të saj i deshi medoemos të pushkatuar, të burgosur, të syrgjynosur, pasi ua bëri fillimisht gjyqin në gazetë, në radio, në televizion dhe i dënoi në emër të popullit pa u dhënë as të drejtën të mbrohen në sytë e popullit?”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo çështje lidhet me një parim themelor të shtetit demokratik.
“Kjo nuk është një pyetje që unë e bëj sot për të mbrojtur Belinda Ballukun nga e vërteta që i takon vetëm procesit mes saj dhe drejtësisë, sepse unë nuk jam avokati i askujt këtu, përballë një akuze të ngritur nga prokuroria ndaj kujtdo qoftë këtu brenda apo pranë nesh. Kjo është një pyetje të cilën unë e bëj sot për të mbrojtur të vërtetën e madhe që i takon vetëm demokracisë nga të gjithë abuzuesit e saj, sepse unë jam kryeministri i këtij vendi”, tha Rama.
Rama u shpreh se, sfida historike e Partisë Socialiste është mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë.
“Përballë një sfide historike të marrë përsipër nga PS dhe nga unë vetë si udhëheqësi i saj, kjo e vërtetë e madhe quhet prezumimi i pafajësisë, si parakusht absolut i çdo hetimi dhe procesi gjyqësor dhe si vijë e prerë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës, mes drejtësisë dhe arbitraritetit”.
“Ndërsa sfida historike e kësaj partie është mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë, në radhë të parë nga tundimi ynë i natyrshëm për t’iu kundërvënë drejtësisë në çdo rast kur drejtësia, tanimë e pavarur falë vullnetit tonë patriotik dhe europian, shfaqet haptazi e anshme dhe jo profesionale, duke goditur arbitrarisht dhe duke përdorur tenxheret politike dhe mediatike për të fituar në mexhelisin e gjyqit popullor përpara sesa të fillojë gjyqi ligjor. Edhe rasti që po diskutojmë aktualisht është i tillë”, tha Rama.
Marrë nga ATSH


















