
Rama viziton “Art Explora”: Artistët të traumatizuar nga sulmi i verbër
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ambientet e qendrës ndërkombëtare të artit “Art Explora” në Vilën 31 në Tiranë, e cila u godit dje me molotovë nga protestuesit e opozitës.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ambientet e qendrës ndërkombëtare të artit “Art Explora” në Vilën 31 në Tiranë, e cila u godit dje me molotovë nga protestuesit e opozitës.
Pas vizitës në rezidencën e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, Kryeministri theksoi se “prej kohësh tanimë fondacioni prestigjioz ‘Art Explora’ mikpret në këtë ambient të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota”.
“I gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se “gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë”.
Rama u shpreh se këto vandalizma ndodhin me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale.
“Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj”, u shpreh Kreu i Qeverisë.
Marrë nga ATSH


















