
Rama: Të respektohet prezumimi i pafajësisë, jo demotivim të administratës publike
Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, deklaroi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian ka nxjerrë në pah profesionalizmin e administratës shqiptare, duke theksuar se paralelisht me arritjet duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë për çdo zyrtar të hetuar.

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, deklaroi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian ka nxjerrë në pah profesionalizmin e administratës shqiptare, duke theksuar se paralelisht me arritjet duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë për çdo zyrtar të hetuar.
Rama u shpreh se muajt e procesit screening përpara nisjes së negociatave i dhanë mundësinë të shihte nga afër zgjidhjen e shumë problemeve në administratë, pavarësisht sfidave dhe mangësive që ajo ka.
Ai tregoi se kishte dëgjuar vlerësime pozitive nga drejtues europianë për skuadrën negociatore shqiptare, duke e cilësuar këtë si një arsye krenarie për vendin.
Sipas tij, procesi i negociatave përfshin rreth 1000 ekspertë dhe punonjës të administratës, të cilët kanë punuar me intensitet të lartë për përmbushjen e detyrimeve. “Kur mendoj për ata 1000 veta, e konceptoj sa e madhe është përgjegjësia dhe sa e rëndësishme është të mos i dekurajojmë”, tha Rama.
Kryeministri ndaloi edhe te situata e drejtuesve të institucioneve publike nën hetim, duke përmendur rastin e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ai theksoi se nuk dëshiron të komentojë përmbajtjen e çështjeve konkrete, por ngriti shqetësimin për ndikimin psikologjik dhe institucional që mund të kenë masat e ashpra ndaj drejtuesve të institucioneve që, sipas tij, janë ndërtuar me vite dhe janë vlerësuar edhe ndërkombëtarisht.
Rama sqaroi se hetimi i çdo rasti është i domosdoshëm dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por paralelisht duhet të respektohet e drejta themelore e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. “Po sikur dikush të rezultojë plotësisht i pafajshëm? Çfarë fiton shteti dhe çfarë mesazhi u jepet atyre që duan të kontribuojnë?” u shpreh ai.
Sipas kreut të qeverisë, ka raste kur zyrtarë që kanë dalë të pafajshëm pas përfundimit të hetimeve janë larguar nga administrata, ndërsa të tjerë, edhe pse janë rikthyer, hezitojnë të marrin vendime nga frika e pasojave. Rama theksoi se drejtësia duhet të garantojë ndëshkimin e fajtorëve, por edhe të shmangë dëmet e panevojshme ndaj burimeve njerëzore të shtetit.
Në përfundim, Rama u shpreh se pushteti duhet ushtruar me përgjegjësi dhe ndjeshmëri njerëzore. “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të të bëjnë ty”, tha ai, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të shndërrohet në paragjykim të paracaktuar, por të mbështetet në prova dhe vendime të formës së prerë.
/Marrë nga ATSH


















