
Kumbaro: 317 laboratorë inteligjentë në shkolla, rishikohen kurrikulat
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në fjalën e mbajtur sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u ndal tek investimet në arsim dhe rishikimet e teksteve shkollore.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në fjalën e mbajtur sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u ndal tek investimet në arsim dhe rishikimet e teksteve shkollore.
Kumbaro tha se “janë vënë në funksionim 317 laboratorë inteligjentë në institucionet e arsimit parauniveristar për ta çuar në 1 mijë të tilla deri në 2027-ën. Financimi është siguruar falë kredisë që kemi me Bankën Botërore dhe një granti tek Banka Qendrore Europiane”.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “pas 10 vjetësh tashmë jemi në fazën e rishikimit të kurrikulave ekzistuese. Është normale që të rishikohen në krye të 10 viteve, duke nisur me klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë, pastaj do të vazhdojë vitin tjetër edhe me klasën e dytë të shtatë dhe të njëmbëdhjetë e kështu me radhë, për t’i mbyllur në vitin 2029 totalisht të rishikuara dhe duke futur dhe rishikuar edhe në mënyrë më të plotë disa lëndë, siç është TIK-u dhe Qytetaria, e cila është një lëndë që shkon paralel me shumë nga elementët që u përmendën këtu edhe në sektorë të tjerë”.
Më tej Kumbaro u ndal tek projekti i çeljes së Liceut Francez në Korçë.
“I filluar në 2025-ën ky projekt po realizohet falë marrëveshjes dypalëshe mes qeverisë së Francës dhe Shqipërisë dhe do të hapë dyert, nëse gjërat ecin sipas planifikimit, në 2027-ën”, theksoi Kumbaro.
Po ashtu, shtoi ministrja, është gati edhe projekti i kampusit, ku do të jetë po aty ku është godina e Liceut Francez.
Më tej Kumbaro tha se “një tjetër reformë e rëndësishme që e bëmë publike dje me Universitetin e Tiranës është nisja e punës për transformimin e Qendrës së Botimeve të Diasporës në Agjencinë Kombëtare për Gjuhën Shqipe në Diasporë, duke garantuar përmirësimin e rrugëtimit arsimor të nxënësve shqiptarë përmes gjuhës amtare në mënyrë të qëndrueshme, të standardizuar dhe certifikuar”.
Ministrja Kumbaro foli edhe për ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare duke e cilësuar një sfidë të madhe.
Duke u ndalur tek digjitalizimi i sistemit arsimor, Kumbaro tha se “në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk ka më regjistra prej letre, por gjithçka është brenda sistemeve elektronike. Këtë vit e filluam edhe në arsimin e lartë, me një sistem të dedikuar”.
/Marrë nga ATSH



















