
Vengu: Angazhohemi me shtabe ushtarake në Bordin e Paqes, ftesa e mirëpritur
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu konfirmoi sot se Shqipëria do të angazhohet me shtabe ushtarake dhe jo me financime monetare në Bordin e Paqes.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu konfirmoi sot se Shqipëria do të angazhohet me shtabe ushtarake dhe jo me financime monetare në Bordin e Paqes.
I ftuar në një studio televizive, Vengu u shpreh se se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk ishte surprizë.
“Jemi angazhuar edhe në takime me forcat ushtarake që kanë shprehur interes për mënyrën se si forcat që do të sigurojnë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Rripin e Gazës do të angazhohen, pra rregullat e angazhimit, objektivat, vendet që do të jenë ombrellë nën të cilat vende si Shqipëria dhe Kosova do të mund të operojnë”, tha Vengu.
Sipas tij, “pjesëmarrja sot në këtë bord vjen edhe si efekt i qëndrueshmërisë që kemi ndjekur për marrëdhëniet Izrael-Palestinë”.
“Për ne që e kemi ndjekur këtë proces, kjo pjesëmarrje ka ardhur krejt natyrshëm”, u shpreh ministri Vengu.
Vengu theksoi se mbledhja e sotme e Bordit të Paqes është kulmi i një përpjekjeje disamujore të SHBA-së, që e ka legjitimuar këtë proces.
“Nuk ishte surprizë kjo ftesë, ishte një ftesë e mirëpritur. Kjo demonstron që Shqipëria, përtej modestisë, arrin gjithmonë përmes angazhimit të luajë në një rang më të lartë sesa i takon”, shtoi Vengu.
Vengu komentoi edhe deklaratën e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Bordit të Paqes, i cili solli në vëmendje procesin që po zhvillohet në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Ato sekonda shërbyen për të vendosur në tryezën e Bordit të Paqes çështjen e asaj paturpësie që po ndodh në Hagë, e cila është një çështje kombëtare. Bordi i Paqes është ndërtuar në këtë lloj mënyre, një mekanizëm fleksibël. Mos e neglizhoni faktin që Shqipëria dhe Kosova janë aty. Bordi i Paqes nuk është Bordi i Gazës. Ka nisur me Gazën, por synimi është rikthimi i paqes edhe në vende të tjera”, tha Vengu.
Marrë nga ATSH


















