
Gonxhja: Projekti TID, synojmë ta kemi amfiteatrin në listën e UNESCO-s
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot gjatë seancës plenare në Parlament, se lidhur me projektin TID që pritet të zhvillohet në Durrës nuk ka pasur nxitim në asnjë prej procedurave ligjore që kanë qenë të lidhura me dëgjesat dhe projektimin.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot gjatë seancës plenare në Parlament, se lidhur me projektin TID që pritet të zhvillohet në Durrës nuk ka pasur nxitim në asnjë prej procedurave ligjore që kanë qenë të lidhura me dëgjesat dhe projektimin.
Në përgjigje të akuzave të deputetit demokrat Igli Cara, i cili u shpreh “se ky projekt ka vite që ka nisur, por në këtë marrëveshje kanë munguar aktorët kryesorë që janë mbi 200 familje që kanë pronat në zonë”, Gonxhja tha se këto akuza shkojnë në një nivel pandjeshmërie ndaj interesit publik dhe komunitetit atje.
“Janë bërë të gjitha hapat sa i takon dëgjesave, ka qenë një proces i gjatë, i ngadaltë sepse ka qenë i kujdesshëm. Nuk ka pasur asnjë nxitim në asnjë prej procedurave ligjore që kanë qenë të lidhura me dëgjesat dhe projektimin. Ka pasur një vlerësim të kujdesshëm të të gjithë aspektit historik, të aspektit të interesit të komunitetit dhe gjithë aspektit të interesit privat në rastin e godinave, bizneseve, disa hoteleve”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja tha se është vlerësuar shumë kujdesshëm interesi i përgjithshëm i vendit.
“Ky nuk është një projekt që lidhet vetëm me Durrësin, por me portet e Shqipërisë nga Adriatiku dhe me një prej atyre qendrave që ne shumë shpejt mendojmë ta kemi në listën e UNESCO-s pas një dosjeje të plotë që do duam të kemi për një aplikim të ri për këtë amfiteatër por edhe zonën përreth tij”, u shpreh ministri.
“Nga kjo pikëpamje është e pavend, megjithëse ne këtu bëjmë politikë, përfaqësojmë shumë votues, shumë prej nesh nga krahu që unë i përkas përfaqësojmë edhe më shumë votues. Tentativa për të folur politikisht dhe në një formë për të garantuar popullaritet shumë të lartë na tërheq, por nuk është e lejueshme që të ngatërrohen nocione dhe të përzihen të vërteta në këtë formë të pakujdesshme”, theksoi ai.
Sipas Gonxhes, TID vjen nga përpjekja për të pasur një menaxhim të integruar të një zone që ka një potencial të lartë zhvillimi turistik, ndërsa BIDI, është një formë tjetër ku punohet për të pasur një aktivizim ekonomik, në një zonë e cila do të ketë në vetë të parë interesin e konsumatorit dhe subjekteve tregtare.
“Të dy këto koncepte, janë në thelb disa forma menaxhimi të integruar që të gjitha të ardhurat, të gjitha ato mundësi që krijohen nga një anëtarësim në këtë lloj nukli ekonomik që krijohet riinvestohen për mirëmbajtjen, përmirësimin e vazhdueshëm, për gjithë ndërhyrjet dhe gjithë zëvendësimin e shpeshtë të pajisjeve, të ritrajtimit të atyre objekteve që janë në këto zona që kanë një amortizim shumë të lartë”, pohoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja deklaroi se “qytetarët e Durrësit, komuniteti që lidhet me këtë zonë historike duhet të jetë i qetë që të gjitha procedurat po bëhen. Është ngritur një grup i posaçëm pune për të bërë një rivlerësim të të gjitha hapave, pikëpyetjeve të banorëve në mënyrë që të përditësohen nëse ka momente vlerësimi apo përditësim të akteve nënligjore”.
Burimi ATSH


















