
Rama: Gjykimi i udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, pengmarrje politike që barazon dhunën etnike me luftën çlirimtare
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Prishtina se vendimi i prokurorëve të Hagës për dënimin e katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, Europën dhe për Perëndimin demokratik.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Prishtina se vendimi i prokurorëve të Hagës për dënimin e katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, Europën dhe për Perëndimin demokratik.
Rama ishte sot i ftuar në promovimin e librit “Kur heshtja flet”, të akademikut dhe ish-ambasadorit të Kosovës, Ahmet Shala, i cili flet mbi gjykimin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.
Duke u ndalur te kërkesave e prokurorëve të Tribunalit të Hagës për dënimin me 45 vjet burg për secilin prej katër udhëheqësve të UÇK-së, Rama u shpreh se duhet të bëjmë diçka ende më shumë për këtë.
“Nëse sot Perëndimi nuk e kalon këtë test dhe merr përsipër varrosjen për së gjalli të katër njerëzve të pafajshëm duke lënduar popullin e Kosovës, atëherë ky mbetet një problem shumë i madh”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo është pengmarrje për arsye politike, jo të Perëndimit si i tërë, por të atyre forcave që kanë dashur të barazojnë dy gjëra që nuk barazohen dot: dhunën etnike të një makinerie lufte tërësisht fashiste dhe luftën çlirimtare të një ushtrie.
Sipas Ramës, në fakt bëhej fjalë për një mobilizim popullor, ku ata që janë trajtuar në gjyq si komandantë të një force të rregullt, kanë qenë udhëheqësit shpirtërorë, moralë dhe politikë të këtij mobilizimi popullor.
Rama solli në vëmendje rastet që janë gjykuar deri tani në Hagë, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për terror mbi popullsinë civile, spastrim etnik, varre masive të njerëzve të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve dhe grave nga snajperët e vendosur aty me këtë qëllim, apo me përdhunime, vrasje dhe mbytje njerëzish në lumë.
“Tani, sipas kërkesës së prokurorisë së Tribunalit në Hagë këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë, që janë në fakt në anën tjetër të barrikadës”, tha Rama.
Prokuroria, sipas tij, “nuk pati kapacitetin të provojë asnjë gjë të ngjashme, sepse nuk ka asnjë gjë të ngjashme në aktivitetin e katër udhëheqësve të UÇK-së”.
Burimi ATSH


















