
Hapet në Prishtinë ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”
Me rastin e 100-vjetorit të monedhës shqiptare Lek, në qarkullim monetar, Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë kanë hapur sot në Hollin e BQK-së ekspozitën me titull “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”.

Me rastin e 100-vjetorit të monedhës shqiptare Lek, në qarkullim monetar, Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë kanë hapur sot në Hollin e BQK-së ekspozitën me titull “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”.
I pranishëm në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast tha se ekspozita reflekton lidhjen ndërmjet historisë dhe besimit në institucionet e vendit, si dhe bashkëpunimin me Shqipërinë.
“Ekspozita që na ka mbledhur sot flet me gjuhë të historisë, pra, mesazhin e ka aktual. Nënkupton se paraja është simbol i besimit, rendit institucional dhe i vet shtetit përveçse mjet shkëmbimi. Kjo paraqitje është më tepër për mënyrën se si shoqëritë tona e kanë ndërtuar besueshmërinë me kuptimin e kohës, se si institucionet janë forcuar përmes sfidave dhe përpjekjeve, dhe se si shteti është strukturë ligjore, por, njëkohësisht edhe marrëdhënie zotimi mes qytetareve dhe institucioneve tyre. Kjo histori e besimit na lidh drejtpërdrejt edhe me raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë ndërtuar nivel bashkëpunimi që në qendër i ka nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. 58 marrëveshje të reja në vetëm katër vite të arritura përmes mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, përbën nivelin më të lartë”, tha Kurti.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili tha se ekspozita ndihmon publikun të kuptojë rëndësinë e stabilitetit financiar dhe besimit në sistemin bankar.
Sipas tij, ekspozita e hapur sot dëshmon se historia, ekonomia dhe kultura janë të pandashme.
“Kjo ekspozitë nuk është vetëm një paraqitje e monedhave dhe kartëmonedhave, por një rrëfim i gjatë i historisë sonë ekonomike, shoqërore dhe institucionale. Ajo na udhëheq nëpërmjet evolucionit të parasë shqiptare gjatë një shekulli, duke reflektuar proceset e shtetndërtimit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve financiare. Ekspozita e sotme në Kosovë vjen në vazhdën e 100-vjetorit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, si dëshmi konkrete e bashkëpunimit të ngushtë ekonomik dhe dinamik mes institucioneve tona dhe e përkushtimit tonë të përbashkët për ta ndarë këtë trashëgimi me publikun në vendet tona. Hapja e saj në Prishtinë përkon me javën kur do të shënojmë 18-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, ekspozita ‘Paraja rrëfen’ synon të nxisë ndërgjegjësimin e publikut për rolin e parasë dhe bankave qendrore, si dhe për rëndësinë e stabilitetit financiar”, tha Ismaili.
Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi rëndësinë historike dhe kulturore të ekspozitës.
“Kjo ndalesë në Kosovë ka një kuptim të veçantë. Historia jonë e përbashkët e shkruar me sakrifica, përpjekje, dhe vizion. Lidhja shqiptare e Prizrenit, dhe figura si Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri dhe shumë të tjerë i kanë dhënë formë legjendës kombëtare dhe shtetit shqiptar në kohëra. Dhe po aq e natyrshme është që një ekspozitë që flet për paranë, për BQK-në, dhe për rrugëtimin e shtetit shqiptar të vizitojë Kosovën, sepse historia që paraja shpalos është e jona, është histori e shqiptarëve kudo që jetojnë… Historia e Bankës Qendrore dhe e monedhës shqiptare shpaloset në tre epoka kryesore, të formësuar nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike, dhe ngjarjet ekonomike që kanë përcaktuar fatet e Shqipërisë… Sot vendimet financiare janë bërë më të shpeshta dhe më komplekse. Në dekadat e fundit shumë banka qendrore në botë e kanë zgjeruar komunikimin e tyre me publikun edhe për të krijuar ura të reja komunikimi. Ekspozitat, muzetë, programet për shkollat dhe aktivitetet me qytetarët janë mënyra për të bërë një institucion kompleks, më të afet dhe më transparent me publikun”, tha ai.
Ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje” do të jetë e hapur për publikun deri në datën 20 shkurt, duke ofruar një mundësi për të parë zhvillimin historik dhe kulturor të monedhës shqiptare dhe rolit të bankave qendrore në stabilitetin ekonomik. /KosovaPress/
Marrë nga ATSH


















