
Mbyllet me sukses pjesëmarrja e RENEA-s në UAE SWAT Challeng
Dy ekipet e RENEA-s performuan me profesionalizëm dhe përkushtim deri në ditën e fundit të sfidës, duke përfaqësuar me dinjitet Policinë e Shtetit dhe Shqipërinë në një arenë ndërkombëtare ku konkurrenca ishte në nivele shumë të larta.

Dy ekipet e RENEA-s performuan me profesionalizëm dhe përkushtim deri në ditën e fundit të sfidës, duke përfaqësuar me dinjitet Policinë e Shtetit dhe Shqipërinë në një arenë ndërkombëtare ku konkurrenca ishte në nivele shumë të larta.
Përfaqësimi dinjitoz i Shqipërisë nga Forcat Speciale RENEA në “SWAT Challenge Dubai 2026” nxiti interesin e homologëve për bashkëpunim. Në kuadër të pjesëmarrjes në UAE SWAT Challenge, Njësia Speciale RENEA përfaqësoi në mënyrë dinjitoze Policinë e Shtetit dhe Republikën e Shqipërisë, përkrah njësive elitare të forcave speciale nga e gjithë bota.
Gjatë aktivitetit, Zëvendëspresidenti dhe Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, si dhe Komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Dubait, Abdullah Khalifa Al Marri, në një takim informal, falënderuan dy ekipet e RENEA-s për profesionalizmin dhe performancën e treguar në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Në përfundim të garave, me porosi të udhëheqësit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Komandanti i Përgjithshëm i Policisë së Dubait, gjatë një takimi miqësor me efektivët e Njësisë Speciale RENEA, shprehu interesin për vendosjen e kontakteve zyrtare dhe nisjen e një procesi bashkëpunimi në fushën e njësive speciale, në drejtim të trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojës.
Përfaqësuesit e RENEA-s falënderuan autoritetet e larta të Emirateve të Bashkuara Arabe për vlerësimin dhe interesin e shprehur për bashkëpunim, duke i garantuar se kjo kërkesë do t’i përcillet për shqyrtim dhe miratim Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda.
Ky bashkëpunim do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy policive, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira operacionale ndërmjet strukturave homologe.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet jo vetëm që shërbeu si një test i rëndësishëm përgatitjeje për efektivët e njësisë speciale, por edhe si një mundësi për shkëmbim përvojash me homologë nga vende të ndryshme.
Pjesëmarrja në UAE SWAT Challenge konsiderohet një vlerë e shtuar për rritjen e kapaciteteve operacionale të RENEA-s, si dhe për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Policisë së Shtetit në fushën e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Policia e Shtetit shprehet se, se përfshirja në aktivitete të tilla ndërkombëtare konfirmon standardet profesionale të arritura nga njësitë elitare shqiptare dhe angazhimin për t’u përmirësuar vazhdimisht në përballje me sfida komplekse të sigurisë.
Burimi ATSH



















