
Begaj viziton shtëpinë-muze të Kadaresë: Muza e tij ishte Shqipëria
Presidenti Bajram Begaj vizitoi sot Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ismail Kadare në Tiranë në përkujtim të tij me rastin e 90-vjetorit të lindjes.

Presidenti Bajram Begaj vizitoi sot Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ismail Kadare në Tiranë në përkujtim të tij me rastin e 90-vjetorit të lindjes.
Kreu i Shtetit vlerësoi veprën e Kadaresë dhe kontributin e tij përmes letërsisë në njohjen ndërkombëtare të identitetit dhe historisë sonë.
“Muza e Kadaresë ishte Shqipëria. Por ai pati fuqinë e magjisë që me penën e tij të nxjerrë nga thellësitë e historisë mitet, kujtesën dhe dinjitetin e kombit tonë e t’i shndërronte në letërsi të papërsëritshme botërore”, vlerësoi Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi edhe rëndësinë e përcjelljes së kësaj vepre te gjeneratat e ardhshme.
“Besoj se ne duhet të edukojmë fëmijët e të rinjtë që të vijojnë letërsinë e mrekullueshme të tij”, theksoi kreu i shtetit.
Ismai Kadare ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda e jashtë kufijve të vendit. Me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (1963), pena Kadaresë i kapërceu kufijtë e atdheut, megjithë izolimin komunist.
Ai u vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj.), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera.
Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës.


















