
Lamallari për Kodin e ri Penal: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët, forcojmë mbrojtjen ndaj familjes
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari tha sot se ndryshimet në Kodin Penal që vijnë për diskutim dhe votim në Kuvend janë ndërhyrje të domosdoshme, të fokusuara dhe strategjike, të diktuara nga nevoja reale të sigurisë publike, nga praktika e zbatimit dhe nga detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari tha sot se ndryshimet në Kodin Penal që vijnë për diskutim dhe votim në Kuvend janë ndërhyrje të domosdoshme, të fokusuara dhe strategjike, të diktuara nga nevoja reale të sigurisë publike, nga praktika e zbatimit dhe nga detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Gjatë prezantimit në Kuvend të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Lamallari tha se “kjo paketë është një hap i matur, por i vendosur, drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të qytetarëve te drejtësia”.
“Një nga shtyllat kryesore të kësaj pakete është përafrimi i legjislacionit penal shqiptar me Acquis Communautaire, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”. Projektligji adreson drejtpërdrejt piketat e ndërmjetme të përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe synon të mbyllë boshllëqe të evidentuara prej vitesh në transpozimin korrekt të instrumenteve evropiane”, tha Lamallari.
Në këtë kuadër, vijoi ministri, Kodi Penal përafrohet plotësisht me shtatë instrumente kyçe të Bashkimit Evropian, që lidhen me luftën kundër: pastrimit të parave, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve, terrorizmit, si dhe mbrojtjen e interesave financiare dhe sigurisë së Bashkimit Evropian.
Sipas tij, këto nuk janë ndryshime formale që forcojnë realisht kapacitetin e shtetit për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe kriminalitetin ndërkufitar, duke zgjeruar juridiksionin penal të Republikës së Shqipërisë edhe për vepra të kryera jashtë territorit të vendit, duke hequr, në raste të caktuara, kushtin e dënueshmërisë së dyfishtë dhe duke lehtësuar provën për origjinën kriminale të pasurive.
Një vëmendje e veçantë, tha Lamallari, i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve më të cenueshme.
“Kjo paketë modernizon dhe ashpërson veprat penale me natyrë seksuale, rrit ndjeshëm dënimet, zgjeron afatet e parashkrimit dhe parashikon ndalimin e ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijë”, shtoi ai.
Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, tha Lamallari, projektligji sjell një qasje të qartë zero tolerancë. Ai përjashton çdo efekt justifikues të pëlqimit të viktimës, zgjeron përkufizimin e shfrytëzimit dhe kriminalizon përdorimin e shërbimeve të ofruara nga viktimat e trafikimit.
Sipas tij, ky është një mesazh i fortë se dinjiteti njerëzor nuk mund të relativizohet dhe nuk mund të negociohet.
Ministri Lamallari u shpreh se “kjo paketë adreson gjithashtu problematika konkrete që kanë cenuar rëndë interesin publik, territorin dhe mjedisin. Ashpërsohet ndjeshëm trajtimi penal për zënien e paligjshme të tokës, ndërtimin dhe shfrytëzimin pa titull ligjor, veçanërisht kur këto vepra kryhen në zona të mbrojtura, parqe natyrore, objekte të trashëgimisë kulturore apo infrastrukturë kritike”.
“Dënimet bëhen edhe më të rënda kur autorët janë persona që ushtrojnë funksione publike, duke reflektuar qartë një qasje pa kompromis ndaj abuzimit me detyrën. Po ashtu, forcohet ndëshkimi për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore, sidomos kur rrezikohen zona të banuara, pasuri kulturore apo infrastruktura jetike, ose kur zjarrvënia përdoret si mjet për ndryshimin e destinacionit të tokës”, theksoi Lamallari.
Ministri Lamallari vuri në dukje se “një ndërhyrje e matur, por domethënëse, bëhet edhe në një fenomen të përditshëm që ka pasoja serioze për jetën e qytetarëve: parkimi në rresht të dytë, i cili trajtohet si vepër penale vetëm në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe lëvizjen e mjeteve të emergjencës”.
Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj pakete është forcimi i mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së medias.
“Projektligji vendos një ekuilibër të drejtë mes mbrojtjes së reputacionit dhe lirisë së shprehjes, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërkohë që ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre për shkak të detyrës. Kjo është një njohje e rolit thelbësor të medias në një shoqëri demokratike”, tha Lamallari.
Ai i ftoi deputetët ta mbështesin këtë paketë jo si një akt formal, por si një investim në sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Fjala e plotë e ministrit të Drejtësisë:
Sot kemi sjell në Kuvend një paketë të mirëmenduar ndryshimesh në Kodin Penal, paketë e cila nuk synon dhe as nuk pretendon të jetë një rishkrim i plotë i këtij kodi themelor. Procesi i reformimit tërësor të Kodit Penal është një proces i thellë, kompleks dhe ende duke u zhvilluar. Ndryshimet që sot vijnë për diskutim dhe votim në Kuvend janë ndërhyrje të domosdoshme, të fokusuara dhe strategjike, të diktuara nga nevoja reale të sigurisë publike, nga praktika e zbatimit dhe nga detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Kjo paketë përfaqëson një politikë penale më të qartë, më koherente dhe më evropiane, e ndërtuar mbi analiza konkrete, konsultime institucionale dhe mbi përvojën e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo është një hap i matur, por i vendosur, drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të qytetarëve te drejtësia.
Një nga shtyllat kryesore të kësaj pakete është përafrimi i legjislacionit penal shqiptar me Acquis Communautaire, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”. Projektligji adreson drejtpërdrejt piketat e ndërmjetme të përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe synon të mbyllë boshllëqe të evidentuara prej vitesh në transpozimin korrekt të instrumenteve evropiane.
Në këtë kuadër, Kodi Penal përafrohet plotësisht me shtatë instrumente kyçe të Bashkimit Evropian, që lidhen me luftën kundër: pastrimit të parave, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve, terrorizmit, si dhe mbrojtjen e interesave financiare dhe sigurisë së Bashkimit Evropian.
Këto nuk janë ndryshime formale. Ato forcojnë realisht kapacitetin e shtetit për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe kriminalitetin ndërkufitar, duke zgjeruar juridiksionin penal të Republikës së Shqipërisë edhe për vepra të kryera jashtë territorit të vendit, duke hequr, në raste të caktuara, kushtin e dënueshmërisë së dyfishtë dhe duke lehtësuar provën për origjinën kriminale të pasurive.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve më të cenueshme. Kjo paketë modernizon dhe ashpërson veprat penale me natyrë seksuale, rrit ndjeshëm dënimet, zgjeron afatet e parashkrimit dhe parashikon ndalimin e ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijë. Një parim themelor që forcohet është ai që viktimat e mitura nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si autorë, por si subjekte që meritojnë mbrojtje maksimale dhe trajtim dinjitoz, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, projektligji sjell një qasje të qartë zero tolerancë. Ai përjashton çdo efekt justifikues të pëlqimit të viktimës, zgjeron përkufizimin e shfrytëzimit dhe kriminalizon përdorimin e shërbimeve të ofruara nga viktimat e trafikimit. Ky është një mesazh i fortë se dinjiteti njerëzor nuk mund të relativizohet dhe nuk mund të negociohet.
Të nderuar deputetë, kjo paketë adreson gjithashtu problemika konkrete që kanë cenuar rëndë interesin publik, territorin dhe mjedisin. Ashpërsohet ndjeshëm trajtimi penal për zënien e paligjshme të tokës, ndërtimin dhe shfrytëzimin pa titull ligjor, veçanërisht kur këto vepra kryhen në zona të mbrojtura, parqe natyrore, objekte të trashëgimisë kulturore apo infrastrukturë kritike. Dënimet bëhen edhe më të rënda kur autorët janë persona që ushtrojnë funksione publike, duke reflektuar qartë një qasje pa kompromis ndaj abuzimit me detyrën.
Po ashtu, forcohet ndëshkimi për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore, sidomos kur rrezikohen zona të banuara, pasuri kulturore apo infrastruktura jetike, ose kur zjarrvënia përdoret si mjet për ndryshimin e destinacionit të tokës.
Një ndërhyrje e matur, por domethënëse, bëhet edhe në një fenomen të përditshëm që ka pasoja serioze për jetën e qytetarëve: parkimi në rresht të dytë, i cili trajtohet si vepër penale vetëm në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe lëvizjen e mjeteve të emergjencës. Kjo nuk është një qasje ndëshkuese pa kriter, por një vendosje e sigurisë publike dhe jetës së njeriut në plan të parë.
Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj pakete është forcimi i mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së medias. Projektligji vendos një ekuilibër të drejtë mes mbrojtjes së reputacionit dhe lirisë së shprehjes, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërkohë që ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre për shkak të detyrës. Kjo është një njohje e rolit thelbësor të medias në një shoqëri demokratike.
Të nderuar deputetë, në tërësi, kjo paketë ndryshimesh përfaqëson një politikë penale më të qartë, më të drejtë dhe më efikase. Ajo synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por parandalimin e tij, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e sigurisë për qytetarët. Është një hap konkret drejt një sistemi penal modern, funksional dhe plotësisht të përputhshëm me standardet evropiane. Ju ftoj ta mbështesni këtë paketë jo si një akt formal, por si një investim në sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
/Marrë nga ATSH



















