
Greta Guga, shpirti që shndërroi dhimbjen në dritë
Greta Guga është mjeke psikiatre e njohur në Durrës.

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Historia i përmend disa familje, si shënime kalimtare dhe të tjera i godet pa mëshirë, duke i kthyer në dëshmi të kohës. Haznedarët i përkasin, një historie më shumë se të tmerrshme. Me origjinë të largët nga Prilepi i Manastirit, në ato troje ku shqiptaria ka ditur të mbijetojë mes perandorive, shpërnguljeve dhe dhimbjeve shekullore, kjo familje mbarti me vete jo vetëm mbiemrin, por edhe karakterin, qëndresën dhe ndjenjën e fortë të dinjitetit.
Vendosja në Shqipëri në vitin 1927, fillimisht në Tiranë e më pas në Durrës, nuk ishte lëvizje formale gjeografike, por përpjekje për jetë. Currilat u bënë strehë e një fisi punëtor, ku deti ishte burim jete dhe njëkohësisht metaforë e fatit, herë i qetë, herë i pamëshirshëm. Mahmud Haznedari, peshkatar i ndershëm, lidhi jetën me Lutfije Strazimirin dhe ndërtuan një familje të madhe, me gjashtë djem Sabaudinin, Eminin, Naimin, Abdurrahimin, Gafurrin dhe Qerimin. Secili prej tyre, bartës i një përgjegjësie morale që do të vihej në provë nga historia.
Drama e peshkatarit, e njohur më vonë në artin shqiptar, nuk ishte vetëm vepër letrare apo skenike, por realitet i përditshëm për Haznedarët. Ajo dramë u luajt në jetë, jo në skenë dhe la gjurmë, që do të kalonin brez pas brezi.
Kalvari i internimit, 3013 ditë errësire
Shtatori i vitit 1982, ishte muaji kur koha u thye më dysh. Familja e Qerim Haznedarit, u internua në Grabianin e Poshtëm të Gramshit, në një akt ndëshkimi kolektiv që nuk kishte lidhje me fajin, por me frikën e sistemit. 3013 ditë internim. 3013 ditë poshtërim. 3013 ditë mbijetesë. Këto nuk janë thjeshtë numra, por vite të tëra jete të ngrira, të jetuara nën vëzhgim, në varfëri dhe në trysni.
Greta Haznedari ishte vetëm 10-të vjeçe. Vëllai i madh Agimi, dy vite më pak. Fëmijë që në vend të librave dhe lojërave, mësuan frikën, urinë, heshtjen. Greta dhe Agimi, u detyruan të rriteshin para kohe. Në internim erdhën në jetë edhe dy djem të tjerë, Ermali dhe Besmiri. Fëmijë të lindur në kushte, që nuk u ofronin asgjë përveç detyrimit për të qenë të fortë.
Në Grabian, jeta ishte e zhveshur nga çdo iluzion. Nëna Lutfije, gjyshja e Gretës, nënë e gjashtë djemve, mbylli sytë larg shtëpisë, pa i parë të gjithë fëmijët të lirë. Edhe pas vdekjes, sistemi nuk e zbuti egërsinë. Nënë Lutfijen nuk e lanë të qetë, duke mos e lejuar të prehej në varrezat e fshatit. Qerimi, babai i Gretës, e varrosi në buzë të një kanali. Dukuri që nuk është vetëm tragjedi familjare, por aktakuzë historike.
Në internim lindi edhe Noel, vajza e dytë e familjes. Një rreze shprese në errësirë. Greta u lidh menjëherë me të, sikur të donte ta mbronte nga e gjithë bota. Por Noel jetoi vetëm 90 ditë. Një pakujdesi mjekësore, ia preu jetën. Edhe kjo dhimbje mbi dhimbje. Persekutim i panevojshëm, i shumëfishtë, që godiste edhe foshnjat.
Fëmijëria e thyer, Greta që pa dëgjoi dhe kujtoi
Greta pa gjithçka. Ndjeu gjithçka. Pa frikën e të rriturve, heshtjen e detyruar, lotët e nënës, përuljen e babait. U lemeris. Fëmijëria iu shkurtoi si një degë e njomë. Por nuk u thye. Në shkollën e fshatit, ishte nxënëse e shkëlqyer. Nuk i la sistemit asnjë shteg për ta poshtëruar. Heshtja forcë. Ishte akt rezistence. Dija u bë streha e saj psikologjike, libri shpëtim, suksesi hakmarrje e fshehur.
Këtu fillon të formësohet, profili psikologjik i Gretës. Ndjeshmëri e thellë, vëzhgim i imët i sjelljeve njerëzore, aftësi për të dalluar dhimbjen e pashprehur. Mësoi se traumat nuk bërtasin gjithmonë. Shpesh nuk flasin. Aty lindi pa e ditur ende, psikiatria e saj.
Psikiatria si zgjedhje jete, nga trauma tek shërimi
Zgjedhja e mjekësisë për Gretën nuk ishte aspiratë karriere, por nevojë qendrese. Ishte mënyrë për t’i dhënë kuptim dhimbjes. Psikiatria në veçanti, nuk u shfaq si degë e rastësishme, por si thirrje e brendshme. E njihte ankthin përpara se ta mësonte në auditore. E kishte ndjerë qendresën, përpara se ta lexonte në manuale. Kishte jetuar traumën, përpara se ta emërtonte klinikisht.
Në psikologjinë e Gretës, trauma e fëmijërisë nuk u shndërrua në barrë shkatërruese, por në ndjeshmëri të rrallë. E kuptoi që në krye të herës, se plagët më të rrezikshme janë ato që nuk shihen. Dhe se fëmijët e të rinjtë që nuk dëgjohen sot, janë pacientët e thyer të nesërm. Prandaj, fokusi profesional, u orientua fuqishëm drejt moshave të reja, adoleshentëve dhe të rinjve, aty ku ndërhyrja në kohë mund të ndryshojë fat.
Greta Guga është mjeke psikiatre e njohur në Durrës. Punon në poliklinikë, në spital dhe në klinikën e saj private. Por mbi të gjitha, është shpirt njeriu. E sjellshme. E komunikueshme. E përulur. Nuk flet shumë për veten. Mban mallin për babain, Qerimin dhe nënën Vjollca, si plagë të heshtura.
Greta nuk e shikon pacientin si rast klinik. Si rrugëtim. Si një jetë që po kërkon të kuptohet. Në dhomën e konsultës, krijon hapësirë të sigurt, ku fjala nuk trembet, ku heshtja respektohet, ku loti nuk paragjykohet. Nuk nxitohet. Nuk shkurton rrëfimin. E di se shërimi fillon, kur dikush të dëgjon vërtet.
Greta përballet çdo ditë me botë të thyera. Dera e asaj klinike, hapet për njerëz që sjellin ankth, depresion, frikë, pasiguri, heshtje të rënda. Aty nuk ka orar të ngurtë. Sepse dhimbja nuk njeh orë.
Greta i pret pacientët me qetësi, nuk është e shtirur. Di të krijojë atmosferë besimi që në minutat e para. Fjalët janë të matura. Gjesti i saj i thjeshtë, shikimi i drejtpërdrejtë. Nuk premton mrekulli, por rrugë shpëtimi. Dhe kjo është ndershmëria më e madhe profesionale.
Shpesh rastet që trajton janë të ndërlikuara, të mbartura nga vite të tëra mundimi. Greta nuk lodhet nga këto histori. Ndjek pacientët me këmbëngulje, me durim, me përgjegjësi afatgjatë. Klinikat e punës, nuk janë thjeshtë hapësira shërbimi, por vende ku njeriu ndjehet i pranuar.
Greta Guga është e njëjtë. Nuk bën diferencë mes pacientëve. I trajton të gjithë me të njëjtin respekt dhe përkushtim. Për të, psikiatria nuk është vetëm protokoll mjekësor, por akt etik. Është marrëdhënie besimi. Dhe besimi fitohet vetëm me ndershmëri dhe empati. Greta është mjeke që dëgjon. Që kupton. Psikiatria e saj është humane, e butë, e thellë. Ajo shëron, sepse e di çfarë është plaga.
Shpesh pacientët e ndiejnë, se përballë kanë një mjeke që i kupton pa i gjykuar. Kjo nuk është teknikë e mësuar. Është rezultat i një jete të kaluar në vëzhgim, në durim, në përballje me dhimbjen. Greta e di se çfarë do të thotë, të ndihesh i vetëm mes njerëzve. Prandaj nuk lejon, që askush të largohet nga dhoma e mjekut, me ndjenjën se nuk është dëgjuar.
Greta si grua, forcë e brendshme
Si grua, Greta mbart një forcë që nuk bërtet. Është forcë e brendshme, e fituar nga përballjet e jetës. Nuk ka qenë kurrë vajzë e përkëdhelur, e fatit. Ka qenë vajzë e vetme mes vëllezërve, shtyllë morale, lidhëse emocionesh. Në marrëdhëniet me vëllezërit, ka qenë gjithmonë më shumë se motër, kujdestare, këshilltare, nënë shpirtërore. Vjollca, e mira nënë, u nda nga jeta në vitin 2002, duke lënë Qerimin me katër fëmijë. E Greta nga këtu, iu bë krah babait dhe nënë e dytë për më të vegjëlit.
Kujdeset me përkushtim për vëllezërit Ermalin dhe Besmirin, që jetojnë dhe punojnë në Durrës. Ruan lidhje të ngushta, të përditshme. I ndjek, i mbështet, i dëgjon. Agimi, vëllai i madh, larg në Itali, mbetet pjesë e pandarë e kësaj strukture familjare. Distanca fizike, nuk e ka dobësuar lidhjen emocionale. Përkundrazi, e ka bërë më të ndërgjegjshme.
Malli për prindërit është plagë e përhershme. Greta jeton me mungesën e nënës Vjollca dhe babait Qerim, si me një prani të padukshme. Ata janë aty, në çdo vendim, në çdo hall, në çdo akt përkushtimi. Malli nuk e paralizon. E thellon. Kur lindi vajza e Agimit, emri Vjollca u vendos si akt kujtese dhe dashurie. Ishte mënyra më e mirë, për të mbajtur gjallë kujtimin e nënës, që bëri të pamundurën për të ruajtur familjen në kushte delikate


















