
Platforma e re e punësimit “puna.gov.al” e bën më të lehtë kërkimin dhe ofertimin e punës
Qytetarët dhe punëdhënësit tani mund të gjejnë dhe ofrojnë punë më lehtë dhe më shpejt përmes platformës “puna.gov.al”.

Qytetarët dhe punëdhënësit tani mund të gjejnë dhe ofrojnë punë më lehtë dhe më shpejt përmes platformës “puna.gov.al”.
Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në vendimin “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për sistemin e shërbimeve të punësimit”, sipas të cilave, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) menaxhon gjithë informacionin mbi punëkërkuesit, punëdhënësit dhe vendet e lira të punës.
Qytetarët mund të aplikojnë online për punë dhe të ndjekin rezultatin e aplikimeve, ndërsa punëdhënësit duhet të publikojnë vendet e lira dhe të raportojnë rezultatin e rekrutimit brenda një afati të caktuar.
Të dhënat që përdor platforma përfshijnë informacion mbi punëkërkuesit, vendet e lira në sektorin privat dhe shërbimet që u ofrohen punëdhënësve, si dhe të dhëna nga regjistrat shtetërorë mbi tatimet, sigurimet shoqërore, ndihmën ekonomike dhe gjendjen civile.
Të gjitha të dhënat duhet të trajtohen me kujdes, sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar siguri dhe përdorim vetëm për qëllime punësimi.
Ky vendim gjithashtu qartësisht përcakton rolet e përdoruesve të sistemit dhe zëvendëson emërtime të vjetra: Shërbimi Kombëtar i Punësimit tani quhet Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, ndërsa Drejtoria e tij qendrore merr emrin Drejtoria Qendrore e AKPA-së.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe ngarkon institucionet shtetërore me zbatimin e tij për të siguruar që informacioni mbi punësimin të jetë i plotë, i saktë dhe i aksesueshëm për të gjithë.
Burimi ATSH



















