
Bujar Qesja, një jetë me penë në dorë dhe Durrësin në zemër
50 vite në shërbim të informacionit dhe kulturës qytetare

Nga MEÇAN HOXHA
Studiues, Historian, shkrimtar
Një njeri, një zë i pandalshëm
Durrësi është qyteti i detit, i historisë dhe i shpirtit të hapur. Qyteti i portit, i furtunave dhe i agimeve të qeta, i njerëzve që kanë ditur të ndërtojnë histori edhe aty ku erërat i kanë shembur. Në këtë hapësirë, ku kumbimi i valëve dhe zërat që i falin jetës kuptim, ka ekzistuar gjithmonë nevoja për një dëshmues, për një rrëfimtar, për një zë.
Për më shumë se pesë dekada, ai zë ka qenë dhe mbetet Bujar Qesja. I qetë dhe i vendosur. Nuk lodhet, nuk mbyllet, nuk rresht së ngrituri historitë e njerëzve të qytetit të tij. Në një botë ku shumëçka tretet, ku vlerat shpesh harrohen, ku njerëzit kalojnë shpejt, ka mbetur konstant, busull morale e gazetarisë qytetare.

Ndonëse mund të ishte tërhequr drejt qetësisë që i jep pensioni, vijon të jetë më aktiv se shumë të rinj. Këndon me zërin e tij të brendshëm, të papërtuar. Shkruan për ata që s’i shkruan kush. Ndriçon ata, që s’i ndriçon njeri. Përkujton ata, që koha rrezikon t’i harrojë.
Në Durrës, në port, në rrugicat e vjetra, në plazhin e gjerë, në tribunat sportive, në sallat e kulturës, Bujar Qesja është prania e pandashme, njeriu që mbërrin gjithmonë me fjalën e duhur dhe me vështrimin e mprehtë. Ky është portreti i tij. Portreti i një njeriu, që nuk ngjan me askënd tjetër.

Në historinë e jetës qytetare të Durrësit, pak janë ata që kanë arritur të krijojnë një lidhje kaq të natyrshme, të sinqertë dhe afatgjatë me publikun sa Bujar Qesja. Qytetarët e këtij qyteti, e identifikojnë sot jo vetëm si gazetar të spikatur, por si kronikan të kujtesës së Durrësit, si njeri që prej më shumë se gjysmë shekulli u ka dhuruar zë, hapësirë dhe respekt njerëzve të thjeshtë, personaliteteve të qytetit dhe figurave që kanë lënë gjurmë në çdo cep të historisë sonë.
I lindur në Durrës më 15 gusht 1951, formimi i tij intelektual nisi herët. Shkëlqeu në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti” dhe më pas u diplomua në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, njëkohësisht duke u aktivizuar intensivisht në Radio Tirana e në shtypin e kohës. Zëri i tij u bë shpejt i njohur, fjala e tij u bë e besuar dhe stili i tij i qartë, i sinqertë dhe i ndërtuar mbi etikë profesionale, fitoi respekt.

Gazetari që bëri bashkë shumë organe shtypi
Puna e Bujar Qesjes në gazetarinë e shkruar, radiofonike dhe televizive përmbledh përvojë të jashtëzakonshme. 50 vite të pandërprera në shërbim të informacionit dhe kulturës qytetare. Nuk është thjeshtë reporter, por edhe interpretues i realitetit, rrëfyes i historive njerëzore, lidhësi midis vlerave qytetare dhe masës së gjerë.
Bashkëpunimet me gazetat dhe revistat e njohura të kohës “Puna”, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Ylli”, si dhe më pas me mediat sportive më të rëndësishme kombëtare, mbeten ndihmesa e vyer në publiçistikën shqiptare. Në Radio Tirana dhe televizion krijoi stil të vetin, të drejtpërdrejtë, të qartë, popullor, gjithnjë i ndërtuar me profesionalizëm dhe etikë.
Bujar Qesja është ndër të paktët profesionistë, që bashkon natyrshëm tri dimensione të gazetarisë: të folurën radiofonike, drejtimin dhe komentimin televiziv, si dhe shkrimin profesionist në shtyp. Prej vitit 1994 deri në 2002, u bë botuesi i gazetës së vetme sportive të qytetit, “Teuta Sport”, organ që u bë shpejt pjesë e kulturës së përditshme sportive të durrsakëve.

Organizatori energjik i jetës kulturore dhe artistike
Përveç gazetarisë, Bujar Qesja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në administrimin e institucioneve më të rëndësishme të qytetit. Ka drejtuar: Pallatin “Rinia”, ku në vitet 1988–1990 u krijua prej qendrave më të fuqishme kulturore në Shqipëri, me anketa muzikore të famshme dhe trup varieteje që u bë shkollë për emra të mëdhenj të humorit shqiptar.
E pas kësaj e shikojmë në drejtimin e Pallatit të Kulturës Sukth, ku gjallëroi jetën kulturore në sektorë të tërë bujqësorë, Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, Stadiumin “Niko Dovana”, Sekretar i Klubit Shumsportesh “Teuta” në një periudhë tranzicioni të vështirë për sportin shqiptar, Teatrin “A. Moisiu” dhe Qendrën Kulturore të qytetit, duke udhëhequr me vizion bibliotekën, muzeumet, ansamblin dhe orkestrën e harqeve “A. Moisiu”.
Drejtimi i veprimtarive qendrore të Shoqatës “Durrësi” prej 20 vitesh (2000-2020) iu besua këtij intelektuali të çquar, ku diti t’i japë çdo aktiviteti dinjitet, nivel dhe emocione.

Zëri i njerëzve dhe kujtesa e qytetit
Në një kohë kur shumë zëra treten në rrjetet sociale, Bujar Qesja ka arritur të ruajë koherencën, seriozitetin dhe integritetin profesional, që e kanë karakterizuar gjithmonë. Mbetet aktiv, i pandalur, i përkushtuar ndaj pasqyrimit të problematikave qytetare, por mbi të gjitha ndaj njerëzve.
Është ndër të rrallët gazetarë, që i kushton rëndësi të veçantë figurave durrsake, atyre që janë larguar nga jeta dhe atyre që vazhdojnë të mbajnë gjallë shpirtin e qytetit. Çdo shkrim i tij është i mbushur me ndjeshmëri, me kujdes për detajin dhe me respekt për njeriun.
Nuk ka qytet në Shqipëri, që ka më shumë nevojë për zëra sesa Durrësi. Është qytet që shpesh rrezikon të humbasë kujtesën, mes zhvillimeve të vrullshme dhe tranzicioneve të pafundme. Bujari është një portë e hapur midis të djeshmes dhe të sotmes. Njeh njerëzit e vjetër të qytetit, histori familjesh, rrëfenja lagjesh, episode që s’i gjen në asnjë arkiv zyrtar.
Durrësi për të nuk është thjesht vend, por muze i brendshëm, i gjallë, emocional, me erën e detit dhe hapat e njerëzve të tij. Çdo shkrim për qytetin, është si dritare që ndez kujtesa të fjetura. Nuk e përshkruan qytetin, por e ringjall atë.
Në shkrimet e tij njerëzit marrin zë. Fshatari, punëtori, sportisti, artisti, veterani, profesori, fëmija që ëndërron, të gjithë gjejnë vend në penën e tij. Ka aftësi të rrallë të vërejë detajin, që tjetri nuk e sheh. Një shtrëngim duarsh, një rrudhë, një shikim i humbur, një fjalë e pathënë i kap, i lexon dhe i shndërron në narrativa që mbeten.
Pikërisht për këtë, njerëzit e Durrësit e duan dhe e respektojnë, pasi nuk i ka parë kurrë si “burime lajmi”, por si qenie njerëzore. Në portretet e tij ka mirësjellje, ka kulturë, ka njerëzi. Ka gjithmonë diçka të papritur. Një fakt, një detaj, një element që e bën njeriun e përshkruar të dali nga faqja e lexuar dhe të qëndrojë para teje, i gjallë.
Pikërisht për këtë arsye, Bujar Qesja është perceptuar jo vetëm si gazetar, por si një institucion moral, një profesionist që gëzon besimin e qytetit, një karakter i drejtë, popullor dhe me integritet të lartë njerëzor.

Kur fjala kthehet në mision
Në Durrës, qytetin që rri gjithmonë mes diellit dhe stuhive, ka disa njerëz që nuk i prekin vitet, nuk i lodhin stinët. Ata nuk ecin me kohën, por e detyrojnë atë të ecë me ta. Njëri prej tyre është Bujar Qesja. Është prej atyre burrave të rrallë, që nuk ka nevojë të prezantohet. Emri i tij tingëllon si një firmë e njohur, si një vulë besimi, si një identitet qyteti. Thua Bujar Qesja, thua Durrësi flet, thua Bujari është aty.
Në një qytet që frymon kripë e histori, Bujari ecën ende çdo ditë me hapin e njeriut që ka një mision. Në mëngjes është në kërkim të lajmit, paradite në kërkim të njeriut, pasdite në kërkim të fjalës, në darkë në kërkim të mendimit. Nuk i ndahet punës, sepse është prej atyre njerëzve që edhe po ta ulësh, ngrihet vetë. Edhe po t’i thuash pusho, e gjen duke shkruar. Edhe po t’i thuash mjaft, të thotë: “S’kam bërë ende gjysmën”.

Gazetaria nuk është vetëm profesion. Është instinkt, është mënyrë e të jetuarit. Që nga ditët e para në shtypin lokal e kombëtar, deri te artikujt e sotëm që qarkullojnë në rrjet, ka qenë prani konstante, një sy i mprehtë, një stil i pandryshueshëm.
Nuk shkruan për të marrë duartrokitje. Shkruan për të thënë të vërtetën. Nuk shkruan për të bërë bujë. Shkruan për të bërë drejtësi. Nuk shkruan për të krijuar imazh. Shkruan për të ruajtur kujtesën. Lexuesit e tij e vlerësojnë për dy gjëra të mëdha: qartësinë e mendimit dhe ndershmërinë morale. Nuk i shmanget temave të vështira. Nuk i ikën pyetjeve. Nuk e relativizon të drejtën. Shkruan sikur flet me veten, e prandaj është i besueshëm.

Gazetari që i dha sportit personalitet
Sporti mbeti pasioni që nuk u venit kurrë. 50 vite në sport nuk janë thjeshtë një shifër. Janë jetë e tërë. Ka qenë komentator radiofonik, drejtues emisionesh televizive, mbulues i ndeshjeve të rëndësishme, autor shkrimesh analitike dhe botues i gazetës së vetme sportive të Durrësit “Teuta Sport”. Në mikrofon, mbetet i pangatërrueshëm. I qartë. I saktë. I ekuilibruar. I drejtë.
Kompetenca profesionale, kombinohet tek ai me emocionalitetin e natyrshëm që e kërkon sporti, por pa e tepuar asnjëherë, sepse stili i tij ka qenë gjithmonë i matur, i kontrolluar dhe me kulturë.
Zëri i tij në Radio Tirana, sidomos në emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, u bë i njohur për të gjithë Shqipërinë. Në tribunat e Durrësit, nuk ishte vetëm komentator. Ishte pjesë e strukturës emocionale të qytetit. Sportistët e Teutës, veteranët, trajnerët, tifozët të gjithë e cilësojnë si një nga figurat që i ka dhënë dinjitet sportit durrsak.
Një jetë që flet ende
Durrësi është i madh. Ka histori të mëdha, figura të mëdha, episode të shumta heroizmi, dhimbjeje e krenarie. Por qyteti nuk do të ishte kaq i plotë, pa zërat që e tregojnë. E ndër këta zëra, ai i Bujar Qesjes është më i forti, më i qëndrueshmi, më i besueshmi.
Nuk është thjesht gazetar. Është kronikan, arkiv i gjallë, vëzhgues, pasqyrë, zë i ndërgjegjes qytetare. I përket brezit të njerëzve që nuk lodhen, sepse i udhëheq ideali, t’i shërbejë Durrësit. Zëri i tij është bërë pjesë e memorjes së qytetit. Gjurmët e tij, në kulturë, në sport, në gazetari, do të mbeten për dekada.
Por mbi të gjitha, është një njeri që ka ngritur në kult mirësinë, respektin, profesionalizmin, qytetarinë. Figura e tij është shumëplanëshe dhe e pasur, por thelbi mbetet i pandryshuar,
Bujar Qesja është dhe mbetet, nga personalitetet më përfaqësuese, më të dashura dhe më të besueshme të Durrësit.

Për këtë arsye, janë plotësisht të justifikueshme vlerësimet e rëndësishme që i janë bërë këtij profesionisti veteran të letrave. Ka merituar titullin “Mjeshtër i Madh”, “Ylli i Karrierës”, “Ambasador i Paqes”, Çmimi “Anton Mazreku”, pllakatin “Mirnjohje” dhënë me rastin e 80-të vjetorit të themelimit të futbollit shqiptar dhe shumë vlerësime të tjera.

Është kujtesa jonë kolektive, zëri i ndërgjegjes qytetare dhe dëshmia se sa larg mund të shkojë një njeri kur profesionalizmi bashkohet me karakterin, humanizmin dhe dashurinë për vendlindjen. Në Durrës, emri i tij është tashmë pjesë e identitetit të qytetit.
“Njeriu pa punë ndalet, nuk frymon, e unë dua të jem në jetë, të mundem edhe për ta pamundurit”
Të shkruash për Bujar Qesjen është sfidë. Sepse është më shumë sesa profesionist. Është më shumë sesa gazetar. Është më shumë sesa kronist. Është njeri që ka sjellë dinjitet në gazetari, njerëzi në shkrim, kulturë në analizë, qetësi në debat dhe mbi të gjitha dashuri për qytetin që e rriti. Në moshë relativisht jo të re, vazhdon të punojë, të lexojë, të shkruajë, të udhëheqë me shembull, të frymëzojë me karakter.
Në një kohë kur shumica e njerëzve në moshën e tij zgjedhin qetësinë, Bujari zgjedh fjalën. Në një jetë ku shumëkush kërkon pushimin, ai kërkon temën. Ndërsa të tjerët numërojnë vitet, ai numëron shkrimet. Dita e tij fillon me kërshëri dhe mbaron me reflektim. Lexon më shumë se të rinjtë, shkruan më shpejt se shumë kolegë, mban mend më saktë se të gjithë bashkë. E nëse e pyet pse vazhdon kaq fort, përgjigjja është e thjeshtë:
“Njeriu pa punë ndalet, nuk frymon, e unë dua të jem në jetë, të mundem edhe për ta pamundurit”.
Në kohën e sotme të shpejtësisë, ku lexuesi është i lodhur, i shpërqendruar, i bombarduar me informacion, Bujar Qesja ka krijuar marrëdhënie të rrallë, të sinqertë, të ndershme, të qëndrueshme.
Lexuesi i tij e di se kur Bujari shkruan, nuk ka interesa të fshehta. Respekton inteligjencën e publikut, nuk e nënvlerëson kurrë mendimin e tjetrit, nuk shitet, nuk blehet. Është gazetar i një epoke tjetër, por i domosdoshëm edhe për këtë epokë.
Fjala që mbetet kur koha kalon
Bujar Qesja mbetet, zëri që nuk u lodh kurrë së thëni të vërtetën, si pena që nuk u përkul para harresës, si ndërgjegjja qytetare që zgjodhi të mos heshtë edhe atëherë kur heshtja ishte më e lehtë. Ai nuk e bëri gazetarinë për tituj, por për njerëz, jo për duartrokitje, por për kujtesë.
Bujar Qesja është nga ata gazetarë që nuk i numërohen vitet e punës, por gjurmët që lë pas. Në çdo shkrim të tij ka Durrës, ka sport, ka histori, ka qytetari, ka shpirt. Ka një respekt të rrallë për faktin, për njeriun e thjeshtë, për figurën që meriton të mos mbulohet nga pluhuri i kohës.
Nuk kërkoi kurrë vëmendje, por fitoi respektin. Nuk e ngriti zërin për të mbuluar të tjerët, por e përdori fjalën për t’i ndriçuar. Në një kohë ku shkrimet shpesh harrohen, ai zgjodhi të shkruajë për kujtesë. Në një kohë ku fjala konsumohet shpejt, ai e trajtoi si përgjegjësi.
Gazetaria e Bujarit nuk është spektakël, por moral. Nuk ishte nxitim, por durim. Nuk është përditshmëri e zbrazët, por histori e jetuar, e dokumentuar, e respektuar. Në çdo rresht të shkrimeve, ndjehet përkushtimi i rrallë ndaj profesionit dhe ndaj qytetit që i dha zë.
Kur të vijë koha e bilanceve, Bujar Qesja nuk do të matet me numrin e artikujve, por me peshën e tyre. Me besimin që ndërtoi. Me urën që krijoi mes brezave. Me faktin e thjeshtë, por të madh, se fjala e tij u besua.
Dhe kjo, në gazetari, është forma më e lartë e suksesit.
——–
Durrës: 22 dhjetor 2025


















