
Gerapetritis: Greqia, forcë nxitëse për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis konfirmoi sot mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa theksoi rëndësinë e përmbushjes së të gjitha detyrimeve pasi kjo përcakton ritmin e negociatave.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis konfirmoi sot mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa theksoi rëndësinë e përmbushjes së të gjitha detyrimeve pasi kjo përcakton ritmin e negociatave.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Athinë me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, kryediplomati grek u ndal po ashtu te lidhjet që ekzistojnë mes dy vendeve.
“Greqia dhe Shqipëria lidhen me lidhje shekullore. Ne besojnë fuqimisht se duhet të fokusohemi në ato gjëra që i bashkojnë dy popujt dhe janë me interes të qëndrueshëm duke parë drejt të ardhmes”, tha ai.
Gerapetritis vlerësoi se minoriteti grek në Shqipëri është hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve tanë dhe ura e komunikimit dhe mirëkuptimit.
Gjithashtu, ai nënvizoi kontributin e emigrantëve shqiptarë në Athinë, që sipas tij, “kanë dëshmuar një shkallë të lakmueshme integrimi funksional në shoqërinë helene”.
Kryediplomati grek theksoi se dy vendet bashkëpunojnë në kuadrin e NATO-s si dhe organizmave rajonale.
Duke u ndalur te procesi i integrimi europian, Gerapetritis e konsideroi zgjerimin e BE-së nevojë gjeopolitike.
Ai theksoi angazhimin për t’i dhënë një dinamikë të re perspektivës së Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim.
“Greqia me agjendën e Selanikut ka qenë në pararojë të promovimit të idesë së integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Edhe 22 vite më vonë ne mbetemi forcë nxitëse në këtë drejtim”, theksoi ai.
Gerapetritis shprehu gatishmërinë që në kuadër të Presidencës së Këshillit të Europës në 6-mujorin e dytë 2027, Greqia do të ndihmojë duke ndërmarrë nisma për përshpejtimin e perspektivës europiane të rajonit.
Kjo sipas tij, ndihmon edhe për kapërcimin e rreziqeve që krijohen nga ndërhyrjet e padrejta dhe nga ringjallja e stereotipeve të vjetëruara të nacionalizmit.
“Greqia qëndron konsekuente në pozicionimin e saj drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE në bazën e performancave dhe të reformave të kryera. Ne e përshëndesim në këtë kuadër progresin e Shqipërisë që ka sjellë hapjen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit. Në këtë kuadër ne i japim rëndësi të veçantë përmbushjes së të gjitha detyrimeve kryesisht në kapitujt themeltarë, progresi i të cilave përcakton ritmin e negociatave”, nënvizoi ai.
Gerapetritis vlerësoi kujdesin e veçantë për respektimin e plotë të të drejtave të minoritetit grek, gjë që e konsideroi përparësi kryesore.
Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, ai theksoi se ekzistojnë mundësi për zgjerimin sasior dhe cilësor të bashkëpunimit shumëplanësh, veçanërisht në fushën e tregtisë, ndërlidhjes, investimeve, energjisë, turizmit, arsimit dhe tregut të punës.
Burimi ATSH


















