
INSTAT: Papunësia bie në 8,1%, më shumë të rinj aktivë në tregun e punës
Referuar treguesve të publikuar nga Anketa Tremujore e Tregut të Punës për tremujorin e tretë të vitit, tek të rinjtë 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë ka rënë ndjeshëm, në 15%, një ulje e dukshme krahasuar me një vit më parë.

Papunësia në vend ka rënë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, duke arritur në 8,1%.
Referuar treguesve të publikuar nga Anketa Tremujore e Tregut të Punës për tremujorin e tretë të vitit, tek të rinjtë 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë ka rënë ndjeshëm, në 15%, një ulje e dukshme krahasuar me një vit më parë.
Papunësia mbetet më e lartë tek gratë me 9,7% krahasuar me burrat me 6,8%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se gjithnjë e më shumë njerëz po marrin pjesë në tregun e punës.
Në grupmoshën 15-64 vjeç, pjesëmarrja arriti në 76,5%, ndërsa tek të rinjtë 15-29 vjeç është 53,5%.
Numri i personave të punësuar arriti në 1.178.604, me një rritje të lehtë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Shkalla e punësimit për burrat rezulton më e lartë se për gratë, respektivisht 76,6% dhe 62,7%, ndërsa tek të rinjtë shkalla e punësimit është 45,5%.
Po ashtu, INSTAT nënvizon se 23,5% e popullsisë 15-64 vjeç është ekonomikisht joaktive, duke përfshirë ata që kryejnë detyra shtëpiake, apo kanë paaftësi për punë. Tek të rinjtë, 46,5% nuk janë aktivë në tregun e punës, shumica prej tyre duke ndjekur arsim ose trajnim.
Marrë nga ATSH



















