
BSH: Të ardhurat neto nga turizmi arritën 2,1 miliardë euro deri në shtator 2025
Ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë të re të qëndrueshmërisë së bilancit të pagesave gjatë vitit 2025, ndërsa bilanci i llogarisë korente që mat hyrjet dhe daljet e valutës nga vendi, ka shënuar sërish suficit në tremujorin e tretë.

Ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë të re të qëndrueshmërisë së bilancit të pagesave gjatë vitit 2025, ndërsa bilanci i llogarisë korente që mat hyrjet dhe daljet e valutës nga vendi, ka shënuar sërish suficit në tremujorin e tretë.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, bilanci korent për periudhën korrik-shtator arriti në 658 milionë euro, një rritje prej 90% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo prirje pozitive ka ndikuar që ekonomia shqiptare të dalë përkohësisht nga pozicioni i jashtëm negativ. Për herë të parë, 9-mujori i parë i vitit mbyllet me një bilanc pozitiv prej 51 milionë eurosh, duke përmbysur deficitin prej 233 milionë eurosh të një viti më parë.
Turizmi, motori kryesor i përmirësimit
Rritja e fortë e të ardhurave nga turizmi mbetet faktori vendimtar pas këtij suficiti rekord. Të ardhurat nga udhëtimet në tremujorin e tretë 2025 arritën në 2,3 miliardë euro, duke shënuar rritje me 21,6%, ndërsa të ardhurat neto nga turizmi preken nivelin historik prej 1,3 miliardë eurosh. Në total, për nëntëmujorin, turizmi gjeneroi 2,1 miliardë euro të ardhura neto, në rritje me 19,6% krahasuar me vitin e kaluar.
Përveç turizmit, edhe sektori më i gjerë i shërbimeve ka ndikuar fuqishëm në përmirësimin e pozicionit të jashtëm.
Në tremujorin e tretë, shërbimet realizuan një bilanc neto prej 1,9 miliardë eurosh, me rritje 26,7% vjetore. Për të gjithë periudhën janar–shtator, sektori arriti të sigurojë 3,5 miliardë euro të ardhura neto.
Burimi ATSH



















