
Inva Mula dhe Genc Tukiçi, koncert mes muzikës franceze dhe jareve shkodrane
“Voyage”, titullohet koncerti i shfaqur në fundjavën që lamë pas në teatrin “Migjeni” nga sopranoja e njohur Inva Mula dhe pianisti Genc Tukiçi.

“Voyage”, titullohet koncerti i shfaqur në fundjavën që lamë pas në teatrin “Migjeni” nga sopranoja e njohur Inva Mula dhe pianisti Genc Tukiçi.
Ky koncert e mbushi skenën e teatrit plot emocione, teksa publiku u ngrit në këmbë mes duartrokitjesh të gjata për artistët e njohur shqiptarë edhe në skenat ndërkombëtare.
Në koncert ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ndoqi koncertin i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci.
Repertori i mbrëmjes ishte një kombinim elegant mes himneve të muzikës franceze dhe jareve shkodrane që krijuan një udhëtim muzikor që lidhte elegancën pariziene me shpirtin shkodran.
Me drejtimin e mjeshtres Elda Laro, Orkestra Simfonike e Shkodrës, Kori Polifonik “Prenk Jakova” sollën një bashkëveprim të mrekullueshëm, duke dëshmuar edhe një herë se qyteti ynë mbetet një qendër e gjallë e artit. Të ftuar ishin edhe Isabele Eve Poro dhe këngëtari Glerdit Turmetaj.
Pas koncertit, Inva Mula u shpreh për vazhdimësinë e projekteve artistike që e lidhin me Shkodrën.
“Do të doja të jepja një kontribut ashtu siç e jap në një festival që e kam krijuar në Korçë prej 9 vitesh. Pse jo të krijojmë një festival edhe në Shkodër”, tha Mula.
Pianisti Genc Tukiçi tha se “të bësh koncert përditë në Shkodër është pak, kaq i mirë dhe kaq energji ka kjo sallë”.
Burimi ATSH



















