
Kos: BE të bëhet realitet i prekshëm në Ballkanin Perëndimor, vendet të ecin në sinkron
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos deklaroi sot se, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Europian dhe duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota të BE-së.

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos deklaroi sot se, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Europian dhe duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota të BE-së.
Në fjalën e saj në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama pas punimeve të Samitit “Plani i Rritjes -Rruga jonë drejt BE-së” Kos theksoi se, gjatë samitit u zhvilluan diskutime të hapura për mënyrat se si mund të përshpejtohet zbatimi i Planit të Rritjes dhe si ky proces mund të kthehet në një histori suksesi për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
“Sot kemi pasur diskutime të hapura mbi mënyrat e ndryshme për të përshpejtuar zbatimin si edhe për ta bërë Planin e Rritjes një histori suksesi që sjell rezultate për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”, tha Kos.
Ajo theksoi domosdoshmërinë për të zgjeruar vetë konceptin e zgjerimit të BE-së, duke synuar përfshirjen e vendeve të rajonit në një gamë sa më të gjerë politikash.
“Folëm gjithashtu për nevojën për të zgjeruar vetë nocionin e zgjerimit. Pra është e vërtetë që zgjerimi është shumë më shumë sesa thjesht zgjerim. Por mbi të gjitha për t’ju integruar te gjithëve ju sa më shpejt që të jetë e mundur në gjithnjë e më shumë fusha të politikave të BE-së, jo vetëm në tregun e përbashkët të BE-së, por edhe në tregun tonë të energjisë në zinxhirët paneuropian të vlerës”, tha Kos.
Vetëm javën e shkuar, theksoi Kos, “Kolegji miratoi mbrojtjen e demokracisë dhe strategjinë për shoqërinë civile që si në vendet kandidate ashtu edhe në shtetet anëtare të BE-së do të trajtohen si të barabarta”.
Kos u shpreh se, BE do shkojë edhe më tej duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor në një përpjekjet për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat e BE.
“Duam që BE të bëhet një realitet i prekshëm në vendet tuaja që sot që të sjellë begati, siguri dhe stabilitet për të gjithë ne”, tha Kos.
Në disa fusha, nënvizoi Kos, “kjo gjë tashëm po merr formë. Shqiptarët, malazezët dhe maqedonasit e veriut tashmë përfitojnë nga kosto më të ulta të transaksioneve falë SEPA-s”.
Por, vijoi Kos, “objektivi ynë është që të gjithë ju, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në sinkron dhe nuk duam që të krijojmë hendeqe të tjera mes jush, 6 vendeve tuaja sepse në fund të fundit të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së, pra duhet të jenë pjesë e tij dhe të gjitha vendet e BP duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota të BE-së, si shpërblim i merituar për përafrimin e plotë me legjislacionin e BE-së dhe akoma më e rëndësishëm me vlerat e BE-së. Prandaj le të përqendrohemi sot tek mënyra sesi mund të përshpejtojmë punën me pjesën e dytë”, tha Kos.
Burimi ATSH



















