
Rama: Skepticizmi mes shqiptarëve nuk lidhet me BE, por me realizimin e objektivit të anëtarësimit
Pas mbajtjes së Konferencës së 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, kryeministri Edi Rama theksoi përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe nënvizoi rëndësinë e përkushtimit dhe këmbënguljes për arritjen e këtij qëllimi historik.

Pas mbajtjes së Konferencës së 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, kryeministri Edi Rama theksoi përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe nënvizoi rëndësinë e përkushtimit dhe këmbënguljes për arritjen e këtij qëllimi historik.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në BE, dhe Marie Bjerre, ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Rama theksoi se skepticizmi ndaj procesit nuk lidhet me qëndrimin ndaj Bashkimit Europian, por me pyetje legjitime për realizimin e objektivit të anëtarësimit.
Ai shpjegoi se procesi i negociatave ka ndihmuar Shqipërinë të konsolidojë institucionet, të forcojë sundimin e ligjit dhe të zbatojë standardet europiane, duke e bërë vendin më të fortë dhe më funksional.
Duke iu referuar pyetjes për skeptikët, Rama tha se skeptikë në Shqipëri janë ata që janë plotësisht të përkushtuar dhe të dashuruar me BE dhe kanë pyetje, pikëpyetje për ne, për BE-në. “A do të ndodhë vërtet, a është reale, a do të marrim më në fund atë për të cilën kemi ëndërruar për kaq gjatë, apo do të kemi edhe një herë një periudhë si më parë”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se përfitimet e këtij procesi shkojnë përtej negociatave formale, duke krijuar një vend me institucione të qëndrueshme, respekt për të drejtën dhe standarde europiane.
Ai vuri në dukje se ky moment historik nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e vazhdueshëm dhe se skepticizmi nuk duhet të ndalojë përpjekjet e Shqipërisë për të arritur ëndrrën europiane.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u shpreh se hapja e kapitujve është rezultat i punës së palodhur të Shqipërisë dhe se qytetarët janë ata që japin rezultatet konkrete.
“Ne mund të ofrojmë mbështetje dhe të jemi krah jush, por janë rezultatet tuaja që bëjnë ndryshimin”, tha ajo, duke shtuar se përgjegjësia për suksesin europian i takon të dyja palëve, qeverisë shqiptare dhe institucioneve të BE-së.
Ndërsa ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre vlerësoi se hapja e kapitujve është një “gur kilometrik” për Shqipërinë dhe një shembull frymëzimi edhe për vendet e tjera kandidate.
Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të punës, duke paralajmëruar se negociatat dhe mbyllja e kapitujve do të jenë sfiduese, por përparimi i Shqipërisë kontribuon edhe në forcimin e Bashkimit Europian.
Burimi ATSH



















