
Ekspozitë kushtuar ushtarakut britanik Aubrey Herbert, mikut të Shqipërisë
Në kuadër të Javës Kulturore Britanike, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe me Ambasadën britanike, prezantuan ekspozitën dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë e ushtarakut britanik, mbrojtësit të pasionuar të pavarësisë së Shqipërisë, Aubrey Herbert.

Në kuadër të Javës Kulturore Britanike, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe me Ambasadën britanike, prezantuan ekspozitën dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë e ushtarakut britanik, mbrojtësit të pasionuar të pavarësisë së Shqipërisë, Aubrey Herbert.
Kjo ekspozitë paraqet dokumente origjinale nga Arkivi Shtetëror i Shqipërisë, një shekull pas vdekjes së Herbert, duke nderuar rolin e tij në pavarësinë e Shqipërisë dhe ndikimin që pati në miqësinë dhe identitetin kulturor shqiptaro-britanik.
Mes dokumenteve të ekspozuara, gjendeshin:
– Vendimi i Këshillit të Ministrave drejtuar Prefekturës së Durrësit, mbi ndihmën që kishte dhënë familja Herbert për strehimin e emigrantëve kosovarë, si dhe emërimin “Herbert” të katundit të ri që po formohej, në nder të familjes dhe kolonelit;
– Njoftimi i Nënprefekturës së Kavajës dërguar Prefekturës së Durrësit, mbi falenderimin që i duhej bërë konteshës Kanarvon për ngritjen e një shkolle në katundin Herbert;
– Telegrami i ngushëllimit dërguar familjes Herbert nga Bashkia e Lushnjës me rastin e ndarjes nga jeta të Lady Carnavon;
– Protesta botuar në gazetën angleze “Times” nënshkruar nga disa personalitete angleze, ndërmjet tyre Aubrey Herbert, Edith Durham etj., kundër copëtimit të Shqipërisë ndërmjet shteteve fqinje;
– Mbledhja e Komitetit Shqiptar në Londër me pjesëmarrjen e Fan Nolit, delegatëve nga Shqipëria Mehmet bej Konica e Filip Noga dhe personalitete angleze me në krye Aubrey Herbert ku diskutohet çështje e ekzistencës së kombit shqiptar dhe moscopëzimi i tij;
– Pjesë nga fjalimi i deputetit anglez Aubrey Herbert në Dhomën e Komunave, ku kritikon vendimin e kryeministrit anglez për ndarjen e Shqipërisë; daktiloshkrim frëngjisht.
Po ashtu, në ekspozitën e përgatitur nga DPA-ja nxirrej në pah kontributi dhe qasja dashamirëse e familjes Herbert ndaj Shqipërisë, përmes akteve të shumta bamirëse gjatë viteve ‘20. Në aktivitet ishte i pranishëm drejtori i përgjithshëm në detyrë i Arkivave, Endrit Musaj, përfaqësues diplomatikë dhe dashamirës të historisë.
Burimi ATSH



















