
Rama: Pa Italinë këto 35 vite, Shqipëria nuk do të ishte vendi që është sot
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, po të mos kishte pasur mbështetjen e Italisë këto 35 vite, Shqipëria nuk do të ishte vendi që është sot.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, po të mos kishte pasur mbështetjen e Italisë këto 35 vite, Shqipëria nuk do të ishte vendi që është sot.
I pyetur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologen italiane, Giorgia Meloni pas mbledhjes së parë mes dy qeverive të mbajtur sot në Romë, lidhur me mbështetjen e Italisë në rrugëtimin drejt BE-së, Rama tha se, “janë të shumta gjërat që vazhdojnë dhe ecin përpara mes nesh dhe Italisë dhe agjencive të shumta”.
Kryeministri theksoi se, sot u fol dhe për ndihmën që Italia i jep Shqipërisë për oficerët e policisë shqiptare përmes Akademisë së Forcave të Policisë që është dhe një nga më të njohurat në botë.
Gjithashtu, Rama nënvizoi se, sot u fol edhe për shtimin e volumit të asistencës nga ana e Italisë për tekstet e kodeve tona penale dhe të procedurës penale, por edhe për tekstet e të drejtës europiane me përfshirjen e fakulteteve të drejtësisë italiane, të ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe kështu me radhë.
“Puna që ne bëjmë falë shoqërimit që Italia na bën jo sot, por që në krye të këtij rrugëtimi, është me të vërtetë shumë e madhe”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, “nëse ne do të bënim një provë dhe do ta hiqnim Italinë nga kuadri i jetës shqiptare të 35 viteve të fundit dhe do të përpiqeshim të kuptonim se ku do të ishim sot, e sigurt është që Shqipëria nuk do të ishte vendi që është sot, por do të ishte në kushte shumë më të ndërlikuara dhe këtë gjë nuk mund ta them për një asnjë vend tjetër”.
Ndërsa kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni u shpreh se, shpreson që hapja e negociatave politike të Shqiëprisë me BE-në të përkojnë me marrjen e kryesisë së BE-së nga ana e Italisë, por përpara duhen mbyllur negociatat teknike.
“Nëse ne duam të mbërrijmë në atë që do të bëjmë pjesën tonë në hapjen e negociatave politike, në fillim duhet të mbyllim ato teknike dhe siç e thashë më parë, prandaj unë shpresoj që kjo gjë të përkojë me marrjen e kryesisë nga ana e Italisë, nëse kjo ndodh ne do të mund të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar Shqipërinë në atë kohë”, tha Meloni.
Meloni u shpreh se Italia do ta ndihmojë Shqipërinë për mbylljen e negociatave teknike.
“Sigurisht duke ndihmuar atë në fazën teknike, me seriozitet, por edhe brenda afateve të nevojshme për ta bërë këtë sepse sigurisht është një kohë për të mbyllur negociatat teknike nga tani deri në fund të viti 2028, por ajo që na duket neve shumë kohë, kundrejt burokracisë europianë mund të mos jetë shumë kohë, ne e dimë këtë. Pra do të thotë ka një punë për t’u bërë së bashku.”, tha Meloni.
Meloni gjithashtu përmendi mbështetjen operative që fakultetet italiane të drejtësisë mund të japin drejtpërsëdrejti në hartimin e Kodit Penal të Shqipërisë.
“Në këtë rast do të ishte një njohuri apo grup njohurish që Italia mund të japë në një rreze 360 gradë, që Italia vazhdon ta bëjë, edhe në sektor të tjerë, sepse Italia është dhe vazhdon të jetë ajo që quajmë – “djepi i së drejtës”, pra, do të thotë që sigurisht jemi të gatshëm ta shoqërojmë Shqipërinë për arritjen e një objektivi të përbashkët”, tha Meloni.
Burimi ATSH


















