
Porti i Tregtisë së Lirë i Hainanit synon të bëhet një model i ri për zhvillimin global të porteve të tregtisë së lirë
Plani Master për Ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë të Hainanit është pjesë e një plani më të gjerë strategjik të iniciuar pesë vjet më parë nga Presidenti Xi Jinping, për të liberalizuar dhe lehtësuar tregtinë dhe investimet, me synimin e hapjes së mëtejshme të vendit për të lehtësuar më shumë lëvizjen e njerëzve, të mallrave dhe të kapitalit.

Nga Prof.Dr. Petraq Milo
Sipas Planit Master për Ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë të Hainanit, i publikuar nga Këshilli i Shtetit më 1 Qershor 2020, i gjithë ishulli Hainan do të shndrohet në një “port të tregtisë së lirë” dhe do të mbulojë një sipërfaqe rreth 33,900 kilometra katrorë. Porti i tregtisë së lirë i Hainanit do të jetë operacional në 18 Dhjetor të vitit 2025 dhe do të përfundojë tërësisht së ndërtuari në vitin 2035. Gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia e Hainanit e orientuar drejt eksportit, është zhvilluar me rritme të shpejta, me hapje të nivelit të lartë dhe zhvillim me cilësi të lartë. Aktualisht, 158 vende dhe rajone kanë investuar në Hainan. Një total prej 38 zonash dhe portesh të tregtisë së lirë vendase dhe të huaja kanë krijuar partneritet me Hainanin. Shkalla e hapjes ekonomike është rritur nga 17.3 përqind në vitin 2018, në 35 përqind në vitin 2024, dhe norma mesatare vjetore e rritjes së investimeve të huaja aktuale u vlerësua të ishte rreth 36 përqind. Në vitin 2024, vlera totale e importeve dhe eksporteve të mallrave nga ndërmarrjet me seli në Hainan arriti në 277.65 miliardë juanë, me një rritje prej 20 përqind nga viti në vit.
Si një qendër strategjike në Detin e Kinës Jugore, Hainan lidh Kinën me vendet e Azisë Juglindore dhe Oqeanit Indian. Gjithashtu nëpërmjet bashkëpunimit tregtar dhe industrial me partnerët e “Një Brez, një Rrugë”, është përmirësuar pozicioni e tij në zinxhirët globalë të furnizimit. Në vitin 2024, tregtia e Hainanit me vendet e Azisë Juglindore arriti në 57.9 miliardë juanë, me një rritje në më shumë se 62 për qind më shumë se një vit më pare. Kina krijoi zonën e saj të parë të tregtisë së lirë në Shangai në vitin 2013, me synimin për të gjetur mënyra të reja për të tërhequr investime të huaja. Më pas në territorin e kontinentit janë hapur edhe 17 zona të tjera të tregtisë së lirë. Por Hainaini është porti më i ri i tregtisë së lirë që do të krijohet në Provincën Hainan, do të jetë një port ishull në bregdetin jugor të Kinës. Plani Master ka përcaktuar dhe masat e mëposhtme për të arritur një rrjedhje të lirë të tregtisë, të faktorëve të prodhimit dhe të investimeve, si dhe zbatimin e një regjimi fiskal të lehtësuar.

Pikat e Inspektimit të Portit të Ri të qytetit Haikou-t, Provinca Hainan/Foto nga VCG
Për të lehtësuar rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkufitare, i gjithë ishulli Hainan do të shndërrohet në një zonë të mbikëqyrjes speciale doganore, duke zbatuar një regjim tregtar të reformuar. Në parim, në varësi të katalogut të mallrave të tatueshme që do të publikohet, do të zbatohen dhe politika me tarifa zero për tregtinë e mallrave. Një sistem i ri menaxhimi i importit dhe eksportit do të thjeshtojë formalitetet administrative për transferimin e mallrave midis Hainanit dhe jashtë vendit, duke forcuar njëkohësisht administrimin e mallrave që rrjedhin midis Hainanit dhe Kinës kontinentale.
Do të ketë më pak pengesa për hyrjen në treg për investitorët e huaj në portin e tregtisë së lirë. Investimet e huaja në disa industri të kufizuara, që normalisht i nënshtrohen miratimit ose licencës, do të kërkojnë vetëm paraqitjen e kërkesave, si dhe më shumë industri të ndaluara do të hapen për investitorët e huaj. Ndërkohë, procedurat administrative do të optimizohen ose eliminohen për të mbështetur operacionet e biznesit në portin e tregtisë së lirë. Plani Master gjithashtu kërkon një mjedis të hapur, transparent dhe të parashikueshëm me mbrojtje të përforcuar për të drejtat e pronësisë intelektuale dhe drejtësi në konkurrencën e tregut. Të dhënat tregojnë se ishulli regjistroi gati 1,300 ndërmarrje të reja të financuara nga të huajt nga janari deri në gusht. Kjo është 7.2 përqind më shumë nga viti në vit. Gjatë pesë viteve të fundit, Hainani ka parë një rritje të shpejtë në tregtinë dhe investimet e jashtme, me flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte që arritën në 102.5 miliardë juanë ose 14.3 miliardë USD, duke u rritur me 14.6 për qind në vit.
Plani Master synon të nxisë avantazhe të reja konkurruese për portin e tregtisë së lire, duke promovuar zhvillimin e industrive të caktuara, duke përfshirë turizmin, shërbimet moderne dhe industritë e teknologjisë së lartë. Masat e mëposhtme janë propozuar për të ndihmuar rrjedhën e faktorëve kryesorë të prodhimit. Më shumë sektorë financiarë do të hapen për investitorët e huaj dhe burimet e financimit do të zgjerohen për të stimuluar rrjedhën e kapitalit. Politikat e imigracionit do të formulohen për të tërhequr talente të huaja në investime, si dhe për të lehtësuar shkëmbimet akademike dhe aktivitetet e biznesit në portin e tregtisë së lirë. Porti i tregtisë së lirë do të ofrojë një kornizë më të relaksuar të transportit, si më pak kufizime në transportin detar, kontrolle të lirshme të hapësirës ajrore dhe të drejtën e lundrimit. Duke pasur parasysh sipërfaqen e gjerë të portit të tregtisë së lirë të Hainanit, është e mundur që mallrat ndërkufitare të përpunohen, dërgohen, tregtohen, transferohen ose ruhen brenda portit me një kosto relativisht të ulët dhe pa kufizime kohore për mallrat që mund të ruhen atje. Gjithashtu porti i tregtisë së lirë do të promovojë kultivimin dhe zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe inovacioneve në mbrojtjen e të dhënave, si dhe sigurinë e transferimit të të dhënave.

Zona e re ekonomike JiangDong e qytetit Haikou që po ndodhet në ndërtim /Foto nga VCG
Porti i tregtisë së lirë i Hainanit do të zbatojë një regjim tatimor të karakterizuar nga një parim me tarifë zero, norma të ulëta tatimore dhe kategori të thjeshtuara tatimore. Në qendër të politikave me tarife zero do të jenë dy iniciativa. Iniciativa e parë ofron trajtim me tarifa zero për eksportet në Kinën kontinentale të mallrave të përpunuara në Hainan që përmbajnë materiale të importuara dhe arrijnë 30 përqind ose më shumë vlerë të shtuar; dhe e dyta do të ofrojë trajtim me tarifa zero për subjekte të caktura që importojnë mallra të caktuara nga jashtë në Portin e Tregtisë së Lirë të Hainanit. Sipas sistemit të ri do të zgjerohet mbulimi i mallrave me tarifë zero. Përqindja e mallrave të importuara pa taksa do të rritet nga 21 përqind në 74 përqind, duke mbuluar rreth 6,600 kategori produktesh, nga 1,900 që është aktualisht, duke mbuluar pothuajse të gjitha pajisjet e prodhimit dhe lëndët e para. Mallrat dhe produktet e tyre të përpunuara që qarkullojnë brenda FTP-së së Hainanit do të trajtohen gjithashtu me tarifa zero.
Më shumë se 1,100 industri prioritare, duke filluar nga biofarmaceutika deri te energjia eolike në det të hapur, janë të pranueshme për një normë preferenciale të taksës mbi të ardhurat e korporatave prej 15 përqind. Porti i tregtisë së lirë do të ofrojë norma preferenciale të tatimit mbi të ardhurat për ndërmarrjet e themeluara dhe që operojnë faktikisht në Hainan, si dhe individët e kualifikuar që punojnë në portin e tregtisë së lirë. Regjimi tatimor në Hainan do të reformohet për të ulur barrën tatimore për ndërmarrjet në portin e tregtisë së lirë, duke kombinuar kategoritë aktuale të taksave (përfshirë TVSH-në, taksën e konsumit, taksën e blerjes së automjeteve, taksën e mirëmbajtjes dhe ndërtimit urban, dhe mbitaksën e arsimit) dhe duke i zëvendësuar ato me taksën e shitjes, si për mallrat ashtu edhe për shërbimet.
Plani Master për Ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë të Hainanit është pjesë e një plani më të gjerë strategjik të iniciuar pesë vjet më parë nga Presidenti Xi Jinping, për të liberalizuar dhe lehtësuar tregtinë dhe investimet, me synimin e hapjes së mëtejshme të vendit për të lehtësuar më shumë lëvizjen e njerëzve, të mallrave dhe të kapitalit.
Burimi CGTN


















