
Të rinjtë shqiptarë përfaqësojnë vendin në Lojërat Olimpike të Robotikës
Një grup të rinjsh shqiptarë kanë përfaqësuar Shqipërinë në “FIRST Global Challenge”, të njohur ndryshe si Lojërat Olimpike të Robotikës, që këtë vit u zhvilluan në Panama City, nga 29 tetori deri më 1 nëntor, me pjesëmarrjen e mbi 190 vendeve nga e gjithë bota.

Një grup të rinjsh shqiptarë kanë përfaqësuar Shqipërinë në “FIRST Global Challenge”, të njohur ndryshe si Lojërat Olimpike të Robotikës, që këtë vit u zhvilluan në Panama City, nga 29 tetori deri më 1 nëntor, me pjesëmarrjen e mbi 190 vendeve nga e gjithë bota.
Kryeministri Edi Rama ndau foto të të rinjve që përfaqësuan vendin tonë në këtë aktivitet.
“Të rinjtë që na bëjnë krenarë. Pasioni për Robotikën ka bërë bashkë këta të rinj që perfaqësojnë Shqipërinë në “FIRST Global Challenge” – Lojërat Olimpike të Robotikës, ku marrin pjesë mbi 190 vende nga e gjithë bota duke krijuar robotë që ndihmojnë në mbrojtjen e ekosistemeve dhe rikthimin e ekuilibrit mjedisor, një mision që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e zhvillimit të gjelbër dhe inovativ”, u shpreh Rama.
Ekipi kombëtar shqiptar i robotikës përfshinte nxënës të shkollave të mesme nga qytete të ndryshme të vendit, të bashkuar nga dëshira për të sjellë ide inovative dhe për të përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në skenën ndërkombëtare. Ata udhëhiqen nga mentorët Eda Peshku dhe Juljan Grori, të cilët kanë mbështetur përgatitjen e tyre gjatë gjithë procesit.
Në përbërje të ekipit janë Anabel, Amber, Braiden, Chloe, Davior, David, Emma, Etien, Enia, Elio, Heldi, Isabel, Jona, Kaltri, Lidia, Martin, Noel, Robert dhe Vanesa – të rinj me energji dhe pasion për teknologjinë, që dëshmojnë potencialin e brezit të ardhshëm inovator shqiptar.
“Pjesëmarrja në këtë garë globale është një mundësi unike për të shkëmbyer ide, për të ndarë kulturën shqiptare dhe për të forcuar rolin e rinisë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovativ të vendit”, shprehen këta të rinj.
Ky kompeticion ndërkombëtar ka për qëllim të frymëzojë të rinjtë në mbarë botën të ndjekin fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM), duke i inkurajuar të bëhen liderët dhe inovatorët që do të zgjidhin sfidat më të mëdha të planetit.
Në këtë edicion, pjesëmarrësit u bënë pjesë e një komuniteti global që bashkon kultura, ide dhe eksperienca të ndryshme, duke dëshmuar se teknologjia mund të bashkojë.
Marrë nga ATSH



















