
Presidentja e Komisionit të Venecias: Shqipëria, hap madhor në reformimin e gjyqësorit
Presidentja e nderit e Komisionit të Venecias, Hanna Suchocka deklaroi sot se, Shqipëria ka bërë një hap madhor në reformimin e gjyqësorit.

Presidentja e nderit e Komisionit të Venecias, Hanna Suchocka deklaroi sot se, Shqipëria ka bërë një hap madhor në reformimin e gjyqësorit.
Në fjalën e saj në panelin për reformën në drejtësi dhe procesin e vetingut në Konferencën “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, që u zhvillua sot në Tiranë, Suchocka u shpreh se bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe Komisionit të Venecias ka nisur që në vitin 1995 me Kushtetutën e Shqipërisë dhe ka qenë vendimtar për konsolidimin e gjyqësorit.
Ajo shtoi se reforma në drejtësi mbetet një nga detyrat më sfiduese, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet post-komuniste, lidhur me nevojën për gjyqtarë të pavarur.
“Komisioni i Venecias me Shqipërinë ka një histori të gjatë që ka nisur 30 vite më parë që në 1995 për Kushtetutën e Shqipërisë. Kjo tregon që Komisioni i Venecias është përfshirë që në fillim për të ndërtuar bazën ligjore dhe demokratike të vendit. Reforma në gjyqësor është një prej detyrave më të vështira, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë vendet post komuniste sepse sistemit i tyre i mëparshëm është krijuar nën pushtetin enjë partie dhe është e vështirë për të ndryshuar mendësinë se si mund të bëhej që gjyqtarët të jenë të pavarur dhe të krijohet kjo autonomi e gjyqësorit”, tha ajo.
Sa i takon opinioneve të Komisionit të Venecias, Suchocka tha se, “ne mund të shohim që numër i madh i këtyre opinioneve i drejtohej gjyqësorit dhe shiheshin si garancitë më të mira për të pasur pavarësinë e gjyqësorit”.
“Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por edhe të shikohet që është bërë që shoqëria të dallojë me sy që drejtësia është vërtetë e pavarur. Duhen siguruar garanci të reja për ta bërë më të fortë dhe më autonome”, shtoi ajo.
Suchocka u shpreh se, Shqipëria po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje të mirë për korrupsionin përmes procesit të vetingut.
“Shqipëria ka bashkëpunuar me Komisionin e Venecias për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe një nga çështjet është zgjidhja që të çon në shkarkimin e të gjithë gjyqtarëve dhe nuk është pranuar nga Komisioni i Venecias, pasi ka thënë që të zhvillohet vetingu por jo të shkarkohen të gjithë gjyqtarët, pasi kjo do të krijonte një tjetër problem”, u shpreh ajo.
Suchocka nënvizoi rëndësinë e garancive të reja për autonominë e gjyqësorit dhe përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin përmes procesit të vetingut.
“Procesi i emërimit të gjyqtarëve ka propozime për krijimin e organizatave të posaçme si këshillat shtetëror të gjyqësorit që përfshinë në emërimin e tyre. Lidhur me statusin e këshillave gjyqësor duhet të jetë organ i parë, duhet të jenë të pavarur dhe autonom. Diskutimet në lidhje me këto këshilla do të propozojnë kandidatët që do emërohen si gjyqtarë. Tani kemi diskutime të forta lidhur se si duhen ndërtuar këto lloj këshillash do ketë shumicë gjyqtarësh apo pjesë të caktuara dhe kush janë organet që do emërojnë kandidatët për këtë këshill, kush do jetë roli i personave jo-gjyqtarët në këto këshilla, kush do përfaqësojë shoqërinë etj|, tha ajo.
Burimi ATSH