Nisën sot transaksionet përmes SEPA-s, Sejko: Moment historik për tregun financiar shqiptar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e cilësoi moment historik për tregun financiar shqiptar nisjen e transaksionit të parë në euro, përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e cilësoi moment historik për tregun financiar shqiptar nisjen e transaksionit të parë në euro, përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA.

“Ky nuk është thjesht një zhvillim teknik në sistemin e pagesave, por një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në infrastrukturën financiare evropiane”, deklaroi ai gjatë ceremonisë së lançimit të transaksionit të parë të Shqipërisë në SEPA, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, i realizuar në nëntor të vitit të kaluar, theksoi ai, ka qenë rezultat i një procesi të strukturuar, ku Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me të gjitha bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiare, ka punuar me përkushtim për të përmbushur kërkesat teknike dhe rregullatore të nevojshme. Sot, të 11 bankat vendase janë gati të ofrojnë shërbime SEPA për qytetarët dhe bizneset.

“Ky moment nuk është fryt i rastësisë, është rezultat i një rrugëtimi shumëvjeçar të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve financiare shqiptare, të cilat kanë punuar hap pas hapi për të ndërtuar themelet e një sistemi modern pagesash”, theksoi ai.

Në këtë proces, nënvizoi Sejko, roli i Bankës së Shqipërisë ka qenë vendimtar.

“Anëtarësimi në SEPA ishte një objektiv strategjik i Bankës së Shqipërisë, i lidhur drejtpërdrejt me Planin e Ri të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe me projektin Rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në Ballkanin Perëndimor”. Me asistencën e vyer të Bankës Botërore dhe falë koordinimit me të gjithë aktorët vendas, u sigurua përmbushja në kohë e kritereve dhe vënia në veprim e shërbimeve. Kjo arritje rrit kapacitetin e vendit për të përthithur fonde dhe për të ndjekur me besueshmëri rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian” deklaroi Sejko.

Rrugëtimi ynë, vuri në dukje Sejko, ka kërkuar kohë, përkushtim dhe partneritet, dhe sot jemi krenarë që Shqipëria është pjesë e këtij sistemi unik evropian.

“Tani nis faza e dytë, shfrytëzimi maksimal i këtij standardi nga bankat dhe bizneset, edukimi i përdoruesve dhe thellimi i digjitalizimit të pagesave. Banka e Shqipërisë u bën thirrje bankave tregtare dhe institucioneve financiare që të promovojnë aktivisht shërbimet SEPA, të informojnë klientët për përfitimet konkrete dhe të investojnë në përmirësimin e mëtejshëm të platformave digjitale. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë aktorëve, Shqipëria do të arrijë ta shfrytëzojë plotësisht potencialin e këtij integrimi historik”, u shpreh Guvernatori.

“SEPA përkthen vizionin tonë të integrimit financiar në përfitime të prekshme për qytetarët e bizneset: kosto më të ulëta, shpejtësi më të lartë dhe siguri të shtuar”, deklaroi më tej Sejko.

Më konkretisht, tarifa shumë më të ulëta: transferimi i parave nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të SEPA-s kushton deri në 5 herë më pak se më parë;

Transaksione të shpejta: pagesat elektronike janë më të shpejta, më të sigurta dhe më komode;

Transparencë dhe barazi: një pagesë nga Tirana në Romë nuk kushton më shumë se një pagesë brenda Tiranës.

Ndërkohë, shtoi Sejko, ulje drastike do të ketë dhe për pagesat në mbërritje.

“Ky është një standard evropian që sot bëhet realitet për Shqipërinë, duke e vendosur infrastrukturën tonë të pagesave në të njëjtin nivel me vendet e BE-së”, tha ai.

Sipas tij, integrimi në SEPA, i kombinuar me zgjerimin e pagesave digjitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim. Për analogji, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro.

“Kjo tregon se ndikimi i SEPA-s do të jetë edhe më i gjerë, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit operativ për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Guvernatori.

Në një plan më të gjerë, tha ai, integrimi në SEPA përkthehet në përfitime shoqërore e rajonale: nga ulja e informalitetit dhe kostove të dërgesave, te rritja e përfshirjes financiare dhe konvergjenca me tregun evropian:

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, një rritje prej 10% e pagesave digjitale sjell ulje me 2% të nivelit të informalitetit.

Emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre mund të kursejnë deri në dhjetëra miliona euro në vit falë dërgimit të remitancave nëpërmjet kanaleve bankare të SEPA-s.

Në planin rajonal, deri sot, dërgimi i parave midis bizneseve në Ballkanin Perëndimor ka kushtuar deri në 10 herë më shumë se brenda BE-së. Me SEPA-n, kjo kosto bie në nivele të përafërta me ato evropiane.

“Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje teknike në sistemet e pagesave. Integrimi në SEPA e bën tregun tonë financiar më konkurrues, rrit besimin e investitorëve dhe e afron Shqipërinë me standardet më të larta të Bashkimit Evropian. Në planin strategjik, rrit gatishmërinë për integrime të tjera financiare të BE-së, duke e bërë infrastrukturën tonë më të përshtatshme për inovacione të ardhshme dhe për thellim të lidhjeve me tregjet kapitale”, u shpreh Guvernatori.

Më tej, ai nënvizoi se efekti praktik për qytetarët dhe bizneset shqiptare është i trefishtë, tarifa më të ulëta, procese më të shpejta dhe garanci më të forta operacionale.

Sejko siguroi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të punojë pa u lodhur për të garantuar një sistem financiar modern, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë.

“Mbetemi të angazhuar që ky transformim të shndërrohet në një platformë inovacioni dhe përfshirjeje financiare, ku qytetarët dhe bizneset shqiptare të ndihen më të fuqizuar dhe më afër Evropës”, shtoi ai.

Burimi ATSH

Malaj pret zyrtarin e lartë të OKB-së: Fokus te financat publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Ministri i Financave, Petrit Malaj priti sot në një takim zyrtar nënsekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara…

Global 360

Samiti i Brdo-Brijuni-t, Musar: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së, Milanoviç: Kroacia, ndihmë pa dallim

Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, deklaroi sot se Sllovenia promovon zgjerimin e BE-së.

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Diella dhe hija e së shkuarës!

Është fakt se AI po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e jetës së përditshme kohët e fundit

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Malaj pret zyrtarin e lartë të OKB-së: Fokus te financat publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Ministri i Financave, Petrit Malaj priti sot në një takim zyrtar nënsekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara…