
Samiti i Brdo-Brijunit në Shqipëri, Spiropali: Plani i Rritjes përshpejton afrimin ekonomik e social me BE
Presidenti Bajram Begaj dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali pritën mbrëmjen e sotme krerët e shteteve pjesëmarrës në Procesin e Brdo-Brijunit, të cilët mbërritën në Tiranë në kuadër të Samitit dyditor që do të nisë nesër në Golem.

Presidenti Bajram Begaj dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali pritën mbrëmjen e sotme krerët e shteteve pjesëmarrës në Procesin e Brdo-Brijunit, të cilët mbërritën në Tiranë në kuadër të Samitit dyditor që do të nisë nesër në Golem.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se samiti mbahet në një moment domethënës për Shqipërinë, teksa rajoni ynë ka në duar instrumentin financiar që përshpejton afrimin ekonomik dhe social me BE-në, Planin e ri të Rritjes.
Gjatë samitit, në fokus janë çështjet rajonale, proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi ndërmjet fqinjëve, politika për fuqizimin e rinisë dhe mbajtjen e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Përveç seancës plenare dhe konferencës për shtyp, ku Presidenti Begaj do të marrë pjesë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shtetet bashkëkryesuese të Procesit të Brdo-Brijunit, janë planifikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Samiti pritet të përmbyllet me konkluzione që do të japin shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresin e tyre në rrugën drejt integrimit evropian.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijunit, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së.
Burimi ATSH