
Lirohet pika e bllokimit të mjeteve të konfiskuara në Vlorë, Koçiu: Plane zhvillimi nga pushteti vendor
Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu së bashku me ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, Kryeinspektoren e AAPSK-së Risena Xhaja, nënkryetarin e bashkisë Vlorë dhe drejtorin vendor të Policisë inspektoi hapësirën e zënë nga makinat në Vlorë e cila do të lirohet në funksion të shërbimeve komunitare.

Pas Shkodrës dhe Laçit, ka nisur puna për lirimin e një tjetër hapësire publike, në Vlorë. Hapësirat e përdorura prej vitesh si pika grumbullimi për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara, po kthehen një e nga një në shërbim të qytetarëve.
Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu së bashku me ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, Kryeinspektoren e AAPSK-së Risena Xhaja, nënkryetarin e bashkisë Vlorë dhe drejtorin vendor të Policisë inspektoi hapësirën e zënë nga makinat në Vlorë e cila do të lirohet në funksion të shërbimeve komunitare.
Bëhet fjalë për pikën në zonën e Nartës, një nga 24 pikat e bllokimit në të gjithë vendin që Policia e Shtetit përdor për të gjithë automjetet e konfiskuara dhe të sekuestruara.
Koçiu tha se prej fillimit të muajit shtator, së bashku me AAPSK, ka nisur një fushatë mbarëkombëtare për të pastruar të gjitha këto pika, të cilat zënë një sipërfaqe të konsiderueshme në të gjithë territorin e vendit, për t’i sistemuar, për të seleksionuar të gjitha ato mjete, që aktualisht kanë prej vitesh të depozituara.
Procesi po zbatohet në të gjithë vendin, në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit, AAPSK-së, Drejtorisë së Rezervave Materiale të Shtetit, bashkive dhe institucioneve të tjera, me qëllim lirimin e hapësirave të bllokuara, pastrimin e mjedisit dhe rikthimin e tyre për përdorim publik.
“Agjencia, gjatë këtij muaji ka bërë një punë të lavdërueshme duke seleksionuar dhe evidentuar të gjitha mjetet, që ndodhen në këto pika, e janë për skrap apo për prova materiale, dhe janë të detyrueshme për t’u mbajtur nga Policia e Shtetit, si dhe të gjitha ato mjete që mund të jenë për përdorim e të cilat përmjet një plani që Agjencia ka hartuar, do t’i shpërndahen institucioneve publike për t’u përdorur prej tyre”, nënvizoi ministrja e Brendshme.
Pikat e bllokimit të përdorura nga Policia e Shtetit janë sipërfaqe të konsiderueshme që shpeshherë krijojnë edhe problematika për komunitetet duke u kthyer edhe në zona të pasigurta.
Në vijim të pastrimit të sipërfaqeve, sipas saj, këto zona do të shndërrohen që fare mirë mund t’i përdorë pushteti vendor për të hartuar plane zhvillimi e për t’i kthyer komuniteteve në kënde lojërash apo argëtimi për fëmijët por edhe për t’u përdorur nga institucionet publike, për qëllime apo interes publik.
Kryeinspektorja Xhaja informoi se qarku i Vlorës ka 8 pika grumbullimi të mjeteve.
“Kjo është pika e përqendruar, më e madhe. 5 pika janë në Sarandë, 1 në Delvinë, 1 në Himarë dhe kjo është në Vlorë dhe është një ndër pikat më të mëdha në rang vendi. Nga evidentimi që ka bërë DVP Vlorë, janë 2,124 mjete e motomjete, të sekuestruara e të konfiskuara, njëkohësisht edhe prova materiale, nga të cilat 1,400 shkojnë për skrap, pra lirohet pothuaj 80% e sipërfaqes. Pjesa tjetër janë të konfiskuara e do vlerësohet për t’iu kaluar institucioneve dhe ato që janë prova materiale, jemi në kontakt me Prokurorinë e Përgjithshme, të mbyllen si çështje dhe t’u japim një drejtim edhe atyre”, theksoi Xhaja.
“Është shumë e rëndësishme sidomos për një pikë si kjo në Nartë, shumë pranë komunitetit të banorëve dhe shumë pranë zonave turistike dhe pranë një aksi transporti që do të rehabilitohet dhe ka të bëjë me projektin e hekurudhës se re dhe ndërlidhjes së Vlorës me aeroportin. Duke pastruar zonën nga kjo situatë e ngarkuar prej disa dekadash, ne fillojmë rehabilitimin”, pohoi Ministri Vengu.
Rreth 5 muaj është përllogaritur procesi i largimit të mjeteve.
“Duhet thënë që brenda një muaji, AAPSK ka filluar me seleksionimin e të gjitha mjeteve që ndodhen në të tilla pika grumbullimi, e ndihmuar fort edhe nga Policia e Shtetit, pasi vetë policia është duke bërë një vlerësim në këtë pikë dhe është një bashkëpunim ndërinstituconal, pra janë një sërë strukturash të përfshira, përveç Agjencisë, Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit”, përfundoi ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.
Burimi ATSH