Balluku: Ndarje e qartë mes prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit me ujë brenda 2027-ës

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se krijimi i Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit do të sjellë përmirësim të ndjeshëm jo vetëm të financave të këtij sektori, por edhe të shërbimit ndaj qytetarëve.


Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se krijimi i Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit do të sjellë përmirësim të ndjeshëm jo vetëm të financave të këtij sektori, por edhe të shërbimit ndaj qytetarëve.

Gjatë një takimi të mbajtur në Tiranë për prezantimin e fazës së dytë që reformës në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve, e nisur në vitin 2021 me agregimin e shoqërive, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Balluku tha se funksionimi i këtij operatori do të bëhet në të njëjtën mënyrë si në sektorin e energjisë elektrike.

“Sot, reforma e agregimit ka dhënë rezultate dhe e quajmë të përmbyllur fazën e parë të kësaj reforme të thellë.

Momenti kërkon një reformim akoma më të thellë, hapjen e fazës së dytë që konsiston në krijimin e Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit. Kemi një shembull shumë të mirë, që është sektori i energjisë elektrike, i cili u mor në të njëjtën gjendje në vitin 2013, me humbje që arrinin deri 50%. Shpesh herë ne ato i quanim humbje teknike, por nuk bëhej fjalë vetëm për humbje, por për vjedhje të energjisë elektrike, rrjet të amortizuar, shërbim që nuk ofrohej, fatura aforfe, etj.”, tha Balluku.

Duke pasur shembullin e sektorit të energjisë elektrike dhe duke pasur parasysh avancimin që ka bërë ky sektor, jo vetëm me aksionin e madh për ligjshmërinë në 2015, por edhe për ndryshimin e thellë që pësoi në vitin 2019 me ndarjen e shoqërive, si një kërkesë edhe e BE-së, Balluku shtoi se sot sektori i energjisë ka një skemë të qartë të funksionimit të kompanive që ofrojnë shërbimet jetike për qytetarët.

“Krijimi i Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit do të na çonte në një nivel tjetër, pasi duhet kapur problematika nga thelbi”, deklaroi ajo.

Zëvendëskryeministrja Balluku vuri në dukje se është momenti që të nisë menaxhimi ashtu si është bërë me energjinë elektrike e me KESH, duke nisur nga burimet, të cilat vendi ynë i ka me shumicë, duke ndarë një herë e mirë përgjegjësinë midis prodhuesit, shpërndarësit dhe në të ardhmen edhe furnizuesit, pra ai që faturon dhe arkëton.

“Në fazën e dytë do të qëndrojmë vetëm në ndarjen në dy komponentë, të prodhimit dhe shpërndarjes. Faza e tretë, që nis më 1 janar 2027 përfshin ndarjen e shpërndarësit me ngritjen e kompanisë së shpërndarjes siç është OSSH dhe kompaninë e furnizuesit si FSHU”, deklaroi ajo.

Balluku bëri të ditur se struktura e Operatorit të Prodhimit të Ujit (OPU) do të mbështetet mbi një organizim rajonal, i cili pasqyron si ndarjen hidrologjike, ashtu edhe atë territoriale, duke u ndarë në katër rajone: veriun, jugun, qendër-lindjen dhe qendër-perëndimin.
Kjo ndarje, sipas saj, është e ngjashme me atë që zbatohet nga institucione të tjera, si rasti i Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe synon të sjellë një optimizim më të madh si të burimeve natyrore, ashtu edhe të kapaciteteve njerëzore.

Në këtë mënyrë, theksoi ajo, kapacitetet ekzistuese në Shkodër do të shërbejnë edhe për zonat përreth, ndërsa ato të Vlorës edhe për Gjirokastrën, pasi bëjnë pjesë në të njëjtin rajon.

“Operatori i ri do të ketë rolin e garantimit të monitorimit teknik dhe laboratorik të të gjitha burimeve që futen në rrjetin e furnizimit, duke ndjekur një qasje inovative dhe duke e digjitalizuar procesin në çdo hap”, shtoi Balluku.

Pas nisjes së reformës së agregimit, vuri në dukje Balluku, janë marrë masa konkrete për zonat ku ndodhen depozitat e shpërndarjes, me investime në sisteme moderne sigurie e monitorimi 24 orë.

“OPU do të krijojë një qendër të përqendruar monitorimi, e cila do të ndjekë në kohë reale zhvillimet teknologjike dhe do të sigurojë efikasitet më të madh”, deklaroi Balluku.

Ky organizim i ri, tha ajo, pritet të sjellë optimizim maksimal të proceseve, reduktim të numrit të personelit të shpërndarë dhe orientim të plotë drejt eficencës dhe menaxhimit modern të sektorit të ujit.

Balluku u ndal edhe te efektet që do të sjellë faza e dytë e reformës në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Ajo theksoi se do të arrihet një standardizim kombëtar i praktikave të prodhimit dhe trajtimit të ujit, duke siguruar barazi në cilësinë e shërbimit për të gjithë qytetarët në vend.

“Sot shpeshherë marrim si shembull Korçën, jo për tarifën e ujësjellësit të saj, e cila shpesh keqinterpretohet në raportet ndërkombëtare, por për cilësinë dhe standardin e shërbimit. Ne duam që i njëjti standard të aplikohet në të gjithë Shqipërinë, si në sasinë e ujit të ofruar, ashtu edhe në cilësi”, tha Balluku.

Një nga objektivat kryesore, vijoi ajo, është mbrojtja më e fortë e burimeve ujore, të cilat shpesh janë keqpërdorur.

“Për këtë arsye, do të përdoren sisteme moderne sigurie, përfshirë kamera monitorimi, sisteme alarmi dhe rrethime fizike. Sipas saj, kjo reformë do të sjellë një përshpejtim të modernizimit teknologjik, i cili nuk mund të realizohej në 58 ndërmarrjet bashkiake të fragmentuara, apo edhe në 15 ndërmarrjet e agreguara, por do të jetë shumë më i lehtë për t’u zbatuar në kuadër të katër operatorëve rajonalë”, tha ajo.

Këta operatorë do të menaxhohen nga një qendër e teknologjisë së lartë, që do të përfshijë katër komponentë kryesorë: sistemin SCADA për menaxhimin në distancë, sigurinë kibernetike për rrjetin e shpërndarjes dhe prodhimit të ujit, mbikëqyrjen e cilësisë së ujit nga burimi deri te rubineti, si dhe aplikimin e teknologjive të transmetimit me fibra optike, të cilat do të shoqërojnë investimet e reja.

Do të krijohet gjithashtu një njësi e dedikuar kërkimi dhe zhvillimi teknologjik brenda operatorit, e cila do të ketë si synim aplikimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

Balluku theksoi se, ndonëse Shqipëria ka burime të mjaftueshme ujore, duhet të shihet kjo çështje edhe nga perspektiva e një vendi turistik që gjatë sezonit veror pesëfishon numrin e banorëve.

“Për këtë arsye, synimi është që vendi të ketë një furnizim të qëndrueshëm 12 muaj në vit, duke u përgatitur për fluksin e shtuar të vizitorëve”, shtoi ajo.

Në aspektin rregullator, Balluku sqaroi se nuk është e nevojshme të bëhen ndryshime ligjore, pasi ligji aktual për menaxhimin e sektorit parashikon mundësinë e krijimit të Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit.

Ajo bëri të ditur se bashkitë do të kenë nga 2 deri në 5% të aksioneve, nga 49% që kanë aktualisht, vetëm në respekt të burimeve ujore që ndodhen në territorin e tyre, ndërsa operatori do të gëzojë pavarësi të plotë për sa i përket investimeve dhe performancës financiare, duke u mbështetur te rezultatet pozitive që tregoi faza e parë e reformës.

Operatori i Prodhimit të Ujit do të nisë funksionimin më 1 janar 2026, ndërsa paralelisht do të vijojë puna për fazën e tretë, e cila pritet të jetë plotësisht operacionale në janar 2027.

Në këtë fazë, 15 kompanitë që do të vijojnë operimin do të ndahen në dy struktura të reja: një që do të merret me mirëmbajtjen dhe investimet në rrjetin e shpërndarjes, dhe një tjetër që do të fokusohet te furnizimi, faturimi dhe arkëtimi, duke përmbyllur kështu një proces reformimi të thellë dhe afatgjatë të sektorit.

/Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: Ndërmarrjet e ujësjellësve të mbushura me punonjës parazitë

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se një nga problemet themelore të furnizimit me ujë është niveli i ulët i…

Global 360

Presidenti i Këshillit Evropian, Costa: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik për paqen dhe të ardhmen e kontinentit

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, deklaroi sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një nga sfidat më domethënëse dhe…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Humanizmi sot në shoqëri sfidë për njerëzimin!

Humanizmi sot nuk është thjesht një koncept filozofik, por një nevojë absolute shoqërore dhe morale.

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Rama: Ndërmarrjet e ujësjellësve të mbushura me punonjës parazitë

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se një nga problemet themelore të furnizimit me ujë është niveli i ulët i…