
Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, Spiropali në Shkodër: Nuk është kurrë vonë për të bërë drejtësi
Kryetarja Kuvendit Elisa Spiropali mbajti një fjalë përshëndetëse në Simpoziumin shkencor “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944-1991 – Shkodra përballë të kaluarës”, organizuar sot nga Autoriteti i Dosjeve në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Kryetarja Kuvendit Elisa Spiropali mbajti një fjalë përshëndetëse në Simpoziumin shkencor “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944-1991 – Shkodra përballë të kaluarës”, organizuar sot nga Autoriteti i Dosjeve në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Në këtë veprimtari merrnin pjesë ish-të përndjekur nga regjimi komunist dhe familjarë e përfaqësues të tyre, Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, studiues, përfaqësues të qeverisjes vendore, komuniteteve fetare, shoqërisë civile, etj.
Në fjalën e saj, Spiropali kujtoi ata njerëz të zhdukur gjatë një periudhe të errët të historisë, e cila vazhdon të kërkojë qartësi, drejtësi dhe përgjegjësi.
“Me datën 30 gusht, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, një datë që për vendin tonë nuk është vetëm një moment kalendarik, por një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim. Qytetërimi bashkëkohor kujton ata shpirtra të pafundëm njerëzish e fatesh të thyera njerëzore në të gjithë botën, për të cilët nuk dihet asgjë”, u shpreh Spiropali.
Sipas saj, “askund tjetër më tepër se në Shkodër nuk mund të kishte kuptim kjo ceremoni, në këtë komunitet të qëndresës antikomuniste, e cili vuajti si asnjë qytet tjetër në Shqipëri, hakmarrjen e regjimit ndaj kundërshtarëve të tij”.
“Në mënyrë të veçantë, Shkodra është vendi ku kjo thirrje tingëllon më fort, një qytet që u bë simbol i përndjekjes, por edhe i rezistencës, i vuajtjes, por edhe i identitetit të papërkulur qytetar dhe kulturor. Klerikë të arrestuar dhe të pushkatuar me varr të humbur, intelektualë dhe punëtorë, të rinj e të reja të vrarë në kufi, janë viktimat që kërkojnë e meritojnë respekt, kujtesë dhe drejtësi”, u shpreh Spiropali.
Spiropali theksoi se kjo ceremoni homazh është një akt më shumë në favor të kujtesës dhe një apel për të bërë drejtësi. “Nuk është kurrë vonë për të bërë drejtësi, një domosdoshmëri për ndërgjegjen tonë të përbashkët”, tha ajo.
“Ky simpozium nuk është thjesht një nderim për viktimat, por një akt përballjeje me të shkuarën. Një akt që i takon të gjithë shoqërisë, pa dallime dhe pa qëllime politike apo ideologjike. Pa këtë përballje, pa këtë ndërgjegjësim të përbashkët, nuk mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe të drejtë”, shtoi ajo.
Spiropali theksoi se Kuvendi ka detyrimin të forcojë kuadrin ligjor dhe mbikëqyrës për të mundësuar një qasje më të thellë dhe transparente ndaj së kaluarës.
“Le të bëjmë çmos që kujtesa të mos jetë thjesht një akt simbolik, por pjesë e arsimit, e historisë, e kulturës sonë. Le të mësojmë të flasim për të kaluarën me përgjegjësi, jo për të ndarë, por për të kuptuar. Jo për të manipuluar, por për të ndërtuar. Jo për kredo politike, por për një politikë të moralshme”, theksoi ajo.
Sipas saj, “demokracia nuk përmbushet pa ndëshkimin e krimeve dhe pa njohjen e viktimave”.
“Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme të ndriçuar pa reflektuar me ndershmëri mbi të shkuarën e saj. Ky nuk është një borxh vetëm ndaj atyre që nuk janë më, por edhe ndaj brezave që vijnë. E kaluara na përket të gjithëve si histori, si kujtesë dhe si përgjegjësi”, theksoi ajo.
Burimi ATSH