
Publikohet kalendari për aplikimin dhe regjistrimin në Universitete
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përmes rrjeteve sociale publikoi sot kalendarin e procedurave për aplikimin në universitete për vitin akademik 2025-2026.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përmes rrjeteve sociale publikoi sot kalendarin e procedurave për aplikimin në universitete për vitin akademik 2025-2026.
Manastirliu bën me dije se procesi i aplikimit dhe regjistrimit realizohet online në portalin universitar “U-Albania”.
Sipas kalendarit të publikuar, faza e parë nis më 8 korrik dhe mbaron në 28 korrik dhe është faza e pagesave të tarifave.
Kandidatët, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin U-Albania. Pagesa kryhet deri në 28 korrik 2025. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 28 korrik 2025, në portalin U-Albania.
Më tej, realizohet aplikimi online dhe për këtë periudha e përcaktuar është 29 korrik-3 gusht. Në këtë periudhë, maturantët zgjedhin 10 programe studimi.
Më 27 gusht është faza e ankimimit.
Më 29 gusht-11 shtator është faza e regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, ndërsa do të ketë publikim real të renditjes dhe në fund faza e çregjistrimit, për të cilën është caktuar një kohëzgjatje dy ditore, nga 12-13 shtator.
Burimi ATSH